Dëshmitari i dytë në rastin kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, po vazhdon edhe të premten të intervistohet para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Dëshmitari ka lënë të nënkuptohet se ka qenë pjesë e një njësie luftarake gjatë luftës në Kosovë, pasi kur është pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se a kanë bashkëpunuar njësitë në operacione luftarake, ai u përgjigj: “Po kemi bashkëpunuar”.
“Nuk ka pasur koordinim. Nuk besoj që ka pasur për arsye se kur kanë sulmuar forcat serbe jemi gjind secili qysh kemi mujt për mu mbrojtë. Komandë të veçantë s’ka pasur as nga BIA as nga zona operative në Zllashë që ka vepruar, por kur kanë sulmuar ne jemi kon të gatshëm me dal përballë qysh kemi mujt”.
Më tej, dëshmitari ka pohuar se Mustafa që njihej me pseudonimin “komandant Cali” kishte një zëvendës dhe ai njihej me nofkën “Dardani”.
“Ata zakonisht kanë pasur pseudonime. Një pjesë të tyre ndoshta i kam harru. Jo vetëm ata, por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime”.
I pyetur se çfarë uniforma vishnin anëtarët e njësive dhe i akuzuari, dëshmitari është shprehur se “herë ka pasë uniformë, herë nuk ka pasë. Por, ma shumë ka pasë uniformë dhe ka pasur kapelë të kuqe”./Insajderi.com