Dëshmitari i parë kundër Mustafës të hënën para Speciales

Dëshmitari i parë kundër Mustafës të hënën para Speciales

Deklarata e dëshmitarit të parë në rastin e gjykimit të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të dëgjohet të hënën e 20 shtatorit, njofton Insajderi.com.

Kështu u bë e ditur përmes një video-konference të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku u tha se gjykimi do të fillojë në orën 09:30.

“Gjykimi i Mustafës do të vazhdojë të hënën e ardhshme në orën 09:30 me dëshminë e dëshmitarit të parë në këtë rast. Procedura gjyqësore në këtë rast do të vazhdojë gjatë muajve shtator e tetor dhe gjatë javës së ardhshme”, u tha gjatë video-konferencës.

Në këtë video-konference nuk u bë e ditur se çfarë lloj dëshmitarësh do të thirren në seancën e parë.

“Mund të them vetëm se është dëshmitari i Prokurorisë”, u tha në konferencë.

Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator e cila ishte edhe seanca e parë e gjykimit për të, derisa gjykatën e ka quajtur “Zyrë të Gestapos”.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /Insajderi.com