Çelë Gashi, dëshmitari në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, deklaroi se kanë publikuar dokumentet që ishin lënë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çliritmtare të Kosovës, duke synuar që ta informojnë publikun që Serbia po i jep informata Speciales.
Në dëshminë e tij, Gashi u shpreh se ato dokumente ishin në gjuhën serbe dhe kishte emra serbë, duke theksuar se u dyshua se kishte bombë në to, përcjell Shqip.com.
“Duke shikuar paketën me dokumente mendova me vetvete se si ka mundur ZPS të bie në nivelin e Serbisë, isha i hutuar lidhur me qëllimin e arsyes pse ishin sjellë dokumentet. Ne menduam që publiku kosovar duhet të informohej lidhur me përmbajtjen e paketës meqë kjo do të minonte Dhomat e Specializuara të Kosovës(DhSK) i cili është organ që ne nuk e njohim si legjitim.
Gucati e Haradinaj akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në aktakuzë thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-së, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.
Në aktakuzë thuhet se “kjo sjellje tregon qartë synimin dhe motivin e tyre për të dëmtuar dhe penguar procedurat e DHS-së”.
“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale ‘Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare’, ‘Frikësimi gjatë procedurës penale’, ‘Hakmarrja’, ‘Shkelja e fshehtësisë së procedurës’”.
“Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë./Insajderi.com