Dëshmitari nuk pranon të përgjigjet – Kërkon t’i sillet procesverbali kur ishte intervistuar si i dyshuar

Dëshmitari nuk pranon të përgjigjet – Kërkon t’i sillet procesverbali kur ishte intervistuar si i dyshuar

Në seancën e së hënës, në gjykimin që po zhvillohet ndaj dy zyrtarëve të Arkivit Komunal në Prishtinë, Naim Shasivari dhe Nexhmije Krasniqi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari Kolë Ramaj.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në fillim të seancës, Ramaj ka deklaruar se ai nuk ka dhënë vetëm një deklaratë, por dy.

“Një në cilësi të dëshmitarit dhe një në cilësi të personit të dyshuar bazuar në urdhëresën e kësaj prokurorie që për mendimin tim është turp çfarë veprimesh janë bërë në këtë rast konkret ndaj meje. Kërkoj që prokuroria përderisa unë të obligohem mu përgjigj, të ma jep  edhe procesverbalin që jam intervistuar në cilësi të personit të dyshuar. Përndryshe, deklarohem se nuk do të përgjigjem në asnjë pyetje të prokurorisë, as gjykatës”, ka thënë ai.

Tutje, tha se herën e parë është intervistuar nga prokurori, në cilësi të dëshmitarit, e herën e dytë nga hetuesia, në cilësi të personit të dyshuar, për të njëjtin rast.

“Derisa të më dorëzohen procesverbalet në cilësi të personit të dyshuar, refuzoj që të përgjigjem këtu”, ka thënë ai.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, deklaroi se nuk e kupton se si ka mundësi për të njëjtën çështje penale të merret në pyetje para prokurorit, e më pas para policisë.

“Për mua është e pakapshme”, ka thënë ai.

“Edhe për mua, kanë ardh me 50 policë e njësi speciale. Kanë bërë një spektakël në bazë të urdhëresës të po kësaj prokurorie”, tha dëshmitari Ramaj.

Prokurorja Merrushe Llugiqi deklaroi se nuk ka pritur nga dëshmitari këto fjalë të rënda.

Ajo ka thënë se veprimet janë marrë kur çështja ka qenë në Departament të Përgjithshëm dhe ka qenë i kyçur një prokuror tjetër.

“Unë e kam thirr si dëshmitar se Mirosllavi është i vdekur edhe në bazë të deklaratave e kam parë që një çështje të trashëgimisë e ka bërë në zyren tuaj”, ka thënë ajo.

E Ramaj tha se pa e marrë procesverbalin nuk përgjigjet, kurse prokurorja Llugiqi tha se tërhiqet nga dëgjimi i këtij dëshmitari.

Kurse, gjykatësi Ibrahimi ka kërkuar nga Ramaj që të mos keqpërdorë tolerancën dhe durimin e tij.

“Derisa kështu sillet, unë e kam pas veç në raport me këta të akuzuar, me dhënë ndonjë përgjigje, unë i kam pas disa pyetje”, ka thënë prokurorja Llugiqi.

E gjykatësi Ibrahimi ka kërkuar të informohet nga prokurorja se a do të tërhiqet nga dëgjimi i këtij dëshmitari.

“E lejove deri këtu me fol, e fyjti prokurorin, çdo gjë për prokurorin, nëse ka pas nevoje për deklaratë u duft me ardh me marr para se me ardh këtu, e jo me thon nuk dëshmoj pa mi dhënë qato. Mbetem pranë propozimit nëse fillon me fol, po nëse thotë jo s’foli, dëshmisë së tij nuk i besoj. Është shumë interesant sjellja”, ka thënë prokurorja Llugiqi.

Kurse, gjykatësi Ibrahimi tha se në interes të drejtësisë kërkon të dijë se a mbetet prokurorja pranë propozimit që të mos dëgjohet Ramaj si dëshmitar.

“Mos më kushtëzoni”, ka thënë gjykatësi Ibrahimi.

“Ju i kushtëzut me sjelljet e veta e tolerancat që i bot, unë prej këtij momenti heqi dorë prej këtij. Dëshmi të tij unë nuk kam nevojë”, ka thënë prokurorja Llugiqi.

Më pas, gjykatësi Ibrahimi tha se i rikujton prokurores se është në të drejtën e saj që të paraqes propozime për dëgjimin e dëshmitarëve që i konsideron me rëndësi për çështjen penale.

“Se gjykata nuk e ka lejuar asnjë veprim dëshmitarit Kolë Ramaj që të ndërmerr në këtë shqyrtim gjyqësor e që nuk ka të drejtë sepse dëshmitari vetëm e njoftoi gjykatën për deklaratat që i ka dhënë dhe cilësinë personale që e ka pas para organeve të shtetit kur i ka dhënë këto deklarata dhe prokurorja e shtetit gjykatës nuk i ka dhënë mundësi që dëshmitarit pavarësisht se ka kërkesa për pranimin e procesverbaleve nga deklaratat e tija të mëhershme, i njëjti do të kishte obligim që të dëshmojë para gjykatës për atë që është në dijeni”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga kjo rezulton se prokurorja ka heq dorë nga propozimi për dëgjimin e këtij dëshmitari para se këtij gjykata edhe njëherë t’i tërhiqte vërejtjen se ka për detyrim që të dëshmojë.

“Dua ta bëj të qartë për të gjithë, gjykata është në mes të palëve, ka për obligim të respektojë të drejtat e palëve për propozimin e çdo prove që është e nevojshme, gjykata nuk është ajo që lejon të bëhet spektakël në salla të gjykimit”, tha gjykatësi Ibrahimi.

Ndërkaq, mbrojtja tha se për ta nuk është në interes të dëgjohen këta dëshmitarë.

Më pas, prokurorja Llugiqi tha se propozon të dëgjohen si dëshmitarë  Abaz Makolli, Nexhmije Ibërdemaj, Dafina Rudaku, Arbnore Haliti, Shkëndije Jashari, Shaip Musliu.

“Edhe këta janë persona zyrtarë që punojnë në këto arkive dhe do të dëgjohen lidhur me rrethanat e çështjes penale”, ka thënë ajo.

Avokati i të akuzuarës Krasniqi, Artan Qerkini, tha se prokurorja në fjalën hyrëse ka kërkuar të dëgjohen vetëm dy dëshmitarë dhe të administrohen si prova shkresat që gjenden në dosjen e lëndës.

“Zakonisht, nevoja për plotësimin e procedurës së provave, vie në shprehje, atëherë kur procedura provuese e zhvilluar në shqyrtimin gjyqësor e imponon nevojën që të dëgjohen dëshmitarë të ri. Unë nuk e di se dëgjimi i dëshmitarit Momqillo Trajkoviq, e imponon nevojën e dëgjimit të këtyre dëshmitarëve që u propozuan nga prokuroria”, ka thënë ai.

Sipas tij, konsideron se prokuroria duhet të jetë më specifike, në lidhje me relevancën e dëgjimit të këtyre dëshmitarëve sepse nuk mjafton vetëm të thuhet janë zyrtarë.

“Nëse janë zyrtarë, duhet të tregohet se dëgjimi i secilit prej tyre, cilin fakt me relevancë do ta provojë.  Në këtë drejtim, ne jemi në pamundësi objektive që në mënyrë thelbësore ta kundërshtojmë propozimin e prokurorisë sepse nuk u caktuan rrethanat në mënyrë specifike se çfarë fakte do të provojnë këta dëshmitarë”, ka thënë avokati Qerkini.

Prokurorja Llugiqi tha se e përsërit se mbetet pranë propozimit që dha më parë.

“Ajo çka do të dëshmojnë besoj se do të dëgjohen para trupit gjykues dhe palëve prezent”, ka thënë ajo.

Kurse, gjykatësi Ibrahimi tha se prokurori aktakuzën e datës 28 prill 2017, e ka ngritur edhe mbi bazën e deklaratave të këtyre dëshmitarëve, dhe kjo aktakuzë ka kaluar fazën e konfirmimit.

“Prandaj, gjykata merr këtë aktvendim, pranohet propozimi i prokurores së shtetit”, ka thënë ai.

Kjo seancë është shtyrë për kohë të pacaktuar, në pritje të parashtresës së prokurores me të dhënat personale të dëshmitarëve të propozuar për dëgjim.