Dështimi i KQZ – votat e pavlefshme dhe tenderi i paligjshëm për informimin e publikut

Në vitin 2014, KQZ-së i rekomandohej që të informonte më mirë votuesit për zgjedhjet e vitit 2014 si mënyrë që të zvogëlohej numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme. Por numri i fletëvotimeve të pavlefshme është rritur në zgjedhjet e 2017-s. KQZ kishte dhënë një tender në mënyrë të jashtëligjshme për "Informimin e Votuesve për Zgjedhjet Lokale 2017".

Dështimi i KQZ – votat e pavlefshme dhe tenderi i paligjshëm për informimin e publikut

Në një raport të përpiluar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në vitin 2014 ku bëhej krahasimi i procesit të votimit të viteve 2009 dhe 2013, rekomandohej që votuesit të informoheshin më mirë rreth mënyrës së votimit.

Ky rekomandim theksohej në raportin e KQZ-së të titulluar: “Hulumtimi dhe analizimi i fletëvotimeve të pavlefshme për zgjedhjet për Kuvendin Komunal 2013”; raport në të cilin ishte vënë në pah rritja e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme.

“Numri më i madh i fletëvotimeve të pavlefshme (80.75% e rasteve) është shënjimi i kandidatit dhe jo subjektit. Komisioni konsideron se nga analizimi i këtyre fletëvotimeve, një ndër shkaqet që ka ndikuar mund të jetë fokusimi i votuesit vetëm tek kandidatët dhe kjo është si pasojë e mos informimit të Votuesit”, thuhej në raportin e vitit 2014, të publikuar nga KQZ.

Madje, ky raport sugjeronte që të hartohej një strategji e veçantë e informimit të votuesve, kategori për
eliminimin e rasteve kur shënjohet vetëm kandidati dhe jo edhe subjekti.

Por, sugjerimet e këtij raporti duket se nuk i kishte marrë seriozisht në konsideratë Komisioni Qendror Zgjedhor. Kishte zgjedhur fituesin e tenderit për “Informimin Publik për Zgjedhjet Lokale 2017” në mënyrë të jashtëligjshme.

KQZ-ja dha tenderin për informimin e votuesve në mënyrë të jashtëligjshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e zgjodhi në mënyrë të dyshimtë fituesin e tenderit për “Informimin Publik për Zgjedhjet Lokale 2017”, pak javë para Zgjedhjeve Lokale që u mbajtën më 22 tetor.

Insajderi kishte raportuar në tetor të këtij viti për këtë tender të dhënë nga KQZ-ja.

Siç kishte raportuar gazeta, KQZ-ja në maj të këtij viti kishte shpallur tenderin për të kërkuar një kompani e cila do të bënte fushatën e informimit për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor. Këtë tender në vlerë prej 188 mijë e 107 euro e kishte fituar kompania “2B” por kompania tjetër e cila kishte ofruar 10 mijë euro më shumë ishte ankuar për shkelje ligjore.

Bëhet fjalë për kompaninë “Menagement & Development Associates L.L.C” e cila pretendonte se kompania që kishte fituar këtë tender “N.SH 2B Studio”, nuk i pati plotësuar dy kritere që kanë qenë të parapara në dosjen njoftimit për dhënie të tenderit.

Por, ankesa kryesore e tyre kishte qenë fakti se KQZ-ja nuk i kishte respektuar ligjet kur ka kërkuar nga kompanitë që të zgjasin validitetin e ofertës së tyre, pasi ky tender kishte tejkaluar afatin ligjor të përfundimit.

Sipas kompanisë ankuese, “2B Studio” nuk ka plotësuar kërkesat për: “përgatitje profesionale të menaxherit të projektit, me minimum 3 vjet përvojë pune të natyrës së njëjtë” dhe për “përvojën profesionale të së paku tre anëtarëve të stafit me diplomë universitare”.

Kompania MDA L.L.C  pretendoi se KQZ-ja ka bërë rivlerësimin e ofertave edhe pse ka skaduar afati i vlefshmërisë së ofertave nga operatorët. OSHP-ja edhe pse e ka cilësuar këtë veprim si jo ligjor, raporton Insajderi.

Çmimi mbi Ligjin – Tenderi KQZ-së nuk anulohet edhe pse ka shkelje ligjore

“Paneli shqyrtues sqaron se është i qëndrueshëm pretendimi i OE (operatori ekonomik, kompania v.j) ankues se validiteti i ofertave ka skaduar për këtë aktivitet të prokurimit me datë 09.08.2017, pasi që afati i fundit për dorëzim të ofertave ka qenë data 11.05.2017, mirëpo autoriteti kontraktues ka bërë një lëshim në këtë rast duke mos kërkuar vazhdimin e validitetit të ofertave para skadimit të tyre”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Por fakti që kompania ankuese kishte kosto më të lartë se kompania fituese, për 10 mijë euro, tenderi nuk ishte anuluar.

Rritja e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet e vitit 2017

Në zgjedhjet parlamentare dhe komunale që u mbajtën këtë vit në Kosovë, është rritur numri i fletëvotimeve të pavlefshme krahasuar me dy palë zgjedhje: komunale dhe parlamentare, që u mbajtën më 2013.

Mbi dhjetë mijë fletëvotime të pavlefshme janë shënuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 (42 mijë e 143), krahasuar me zgjedhjet parlamentare të para katër viteve (30 mijë e 725), raporton Gazeta Insajderi.

Ndërkaq, rritja e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme është konfirmuar edhe në zgjedhjet për Kuvendet Komunale të vitit 2017.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit ishte shënuar rritje në fletëvotimet e pavlefshme (72 mijë e 143), krahasuar me zgjedhjet për Kuvendet Komunale të vitit 2013 (70 mijë e 940).

Komuna që ka prirë me numrin e fletëvotimeve të pavlefshme  në zgjedhjet lokale të këtij viti, ishte Prishtina me 6 mijë e 753 vota të pavlefshme dhe 739 të zbrazëta, që ndiqej nga Prizreni me 5,202 vota të pavlefshme.

Komuna që pati më së paku vota të pavlefshme ishte ajo e Mamushës, ku numri i tyre është vetëm 93, që pasohej nga komuna e Kllokotit me 140 vota të pavlefshme. /Insajderi.com