Ka dështuar edhe shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2020.
Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e mbajtur sot nga Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthimit, të cilët nuk kanë pasur kuorum.
Kryesuesi i këtij komisioni, Albert Kinolli, theksoi se prej 18 anëtarëve vetëm shtatë deputetë janë të pranishëm dhe nuk ka kuorum për shqyrtimin e kësaj pike të rendit të ditës.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fetah Rudi, theksoi se derisa në karrocë iu ka përgjigjur mbledhjes së këtij komisioni, nuk arrin të kuptojë përse deputetët e tjerë nuk janë në mbledhje.
Edhe deputeti Elmi Reçica, theksoi se për hir të gjendjes së vështirë nga pandemia, PDK mbështet rishikimin dhe për hir të qytetarëve deputetët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për punën e tyre për të marrë pjesë në komision.
Të pranishëm nuk ishin deputetët e Listës Serbe. /Insajderi.com/