Seanca e shqyrtimit kryesor ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, ka dështuar të mbahet sot, transmeton Insajderi.
Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor ndaj të parit të Istogut, Haki Rugova i cili nga Prokuroria e Gjakovës akuzohet për veprën penale të konfliktit të interesit.
Haki Rugova akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për veprën penale të konfliktit të interesit, pra se ka nënshkruar një tender në vlerë rreth 300 mijë euro të cilin sipas Prokurorisë e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes, Ali Uka, të pandehuri Haki Rugova dhe mbrojtësi i tij, avokatit Besnik Berisha.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, prokurori Uka nuk mund të prezentonte në seancën e sotme pasiqë ishte i angazhuar në Konferencën Vjetore të KPK-së.
Kurse mbrojtësi i të pandehurit, avokati Berisha e ka njoftuar gjykatën se për seancën e sotme nuk mund të merrte pjesë për shkak të obligimeve personale jashtë shtetit.
Ndryshe, në këtë seancë mungoi edhe i akuzuari Rugova i cili edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt, mosardhjen nuk e ka arsyetuar.
Seanca e radhës u caktua më 26 shkurt 2021, ora 10:00. /Insajderi.com