Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, e cila pritej të mbahej më 7 prill, ka dëshuar, meqë i pari i Istogut nuk ishte i pranishëm në seancë, njofton Insajderi.
Pas një viti e pesë muajve kur është mbajtur seanca e fundit, as sot nuk ka arritur të mbahet shqyrtimi kryesor ndaj Rugovës, i cili nga Prokuroria akuzohet për konflikt interesi, lidhur me një tender në vlerë prej 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova.
Përfaqësuesi i Komunës së Istogut, avokati Adem Avdijaj, tha se ishte njoftuar nga mbrojtësi i të pandehurit Haki Rugova, avokatit Besnik Berisha, se kryetari Rugova është në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, theksoi se as i pandehuri Rugova dhe mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha nuk e kishin njoftuar gjykatën për një rrethanë të tillë, veprime këto të cilat sipas gjykatësit ishin papërgjegjësi e të tyre.
“Është papërgjegjësi e mbrojtësit dhe të pandehurit sepse duhet me pas një vërtetim të mjekut për me na vërtetu dhe mbrojtësi duhet me na njoftu”, tha Sharraxhiu.
Sipas tij ishte absurde si përfaqësuesi i Komunës nuk kishte dijeni se kryetari nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe këtë rrethanë e kishte kuptuar nga mbrojtësi i të pandehurit.
Duke u gjendur në këtë rrethanë, gjykatësi Sharraxhiu urdhëroi Stacionin Policor në Istog të vërtetonte rrethanën nëse i pandehuri Rugova kishte probleme shëndetësore apo jo.
Prokurori Ali Uka propozoi gjykatës që të lëshohet urdhërarrest ndaj tij, në rast se i pandehuri Rugova është në gjendje të mirë shëndetësore.
Seanca e radhës u caktua më 28 maj 2021, ora 10:00. /Insajderi.com