Dështon marrëveshja mes Ahmetit dhe Gruevskit

Partia fituese shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka arritur që të bindet unanimisht që të hy në koalicion me partinë fituese maqedonase të Nikola Gruveskit.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, ka thënë për mediat se pas debatit të gjatë brenda dhe jashtë partisë, nuk është arritur që t’i thuhet po partisë së Gruevskit për të hyrë në koalicion qeveritar.

“Ajo çfarë mund të them se në mënyrë unanime kemi konstatuar se ende nuk janë shterur argumentet nga ky debat. Nuk kemi argumente të mjaftueshme për njërin nga 5 opsionet”, ka thënë Osmani.

E diela në mesnatë ka qenë afati i fundit që Gruevski e ka pasur për themelimin e Qeverisë. Tash ai e humbë të drejtën e krijimit të një qeveri dhe duhet të dorëzojë mandatin e marë nga presidenti Ivanov.

Sipas tij, të gjitha opsionet mbeten tash të hapura dhe BDI do të vendos në ditët në vijim sa i përket hyrjes në koalicion qeveritar./Insajderi.com