Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria e Kosovës.
Në këtë mbledhje e cila pati mungesë kuorumi, pritej të shqyrtohej plani operativ i punës.
Kryesuesja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo po anulohet për shkak të mungesës së seriozitetit të deputetëve anëtarë në këtë komision të cilët me mos prezencën e tyre e pamundësuan mbajtjen e mbledhje.
“Në mungesë të kuorumit dhe në mungesë mund të them edhe të seriozitetit të deputetëve anëtar të Komisionit për hetimin e menaxhimit të pandemisë mbledhja e sotme anulohet. Ora është 09:50, do thotë 20 minuta prej momentit kur është caktuar mbledhja e caktuar për sot në 09:30. Është e pakuptimtë situata nuk kemi pasur ndonjë arsyetim nga deputetë për mos pjesëmarrje”, ka thënë Kusari-Lila.
Komisioni hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID19 është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës. /Insajderi.com/