Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e paraparë të mbahet të enjten, ka dështuar për shkak se nuk ishin prezentë shefat e Grupeve Parlamentare.
Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Sipas tij, nuk duhet që procesi zgjedhor të jetë pengesë për punën e Kuvendit.
“Fatkeqësisht mbledhja nuk u mbajt se nuk kishte anëtarë të mjaftueshëm Edhe se jemi në një proces zgjedhor ne duhet të ushtrojmë funksionin tonë në Kuvend. Shihet qartë se ka një mungesë koordinimi”.
Tahiri ka deklaruar se në mbledhje kanë marrë pjesë kryeparlamentari Glauk Konjufca, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci si dhe shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
“Të tjerët munguan. Ajo çka dua të them është se nuk duhet procesi zgjedhor ta ndalojë punën e Kuvendit e Qeverisë. Unë jam kandidat për kryetar komune në Podujevë dhe sot erdha këtu sepse është obligim i imi”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Konjufca nuk ka pranuar të flasë para gazetarëve./Insajderi.com