Dështon seanca ndaj Burdushit, mungojnë dëshmitarët

Dështon seanca ndaj Burdushit, mungojnë dëshmitarët

Seanca gjyqësore ndaj Hysni Peqanit – i njohur si ‘Burdushi’ – e cila parashihej të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka dështuar, transmeton Insajderi.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarve-dëshmitarëve, Behar Krasniqi, Zoja Morina, Ramza Lushi, Driton Zekaj dhe Hatixhe Shabani.

Prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kërkoi që seanca të vazhdojë me dëgjimin e të dëmtuarve-dëshmitarëve tjerë prezent në sallë të gjykimit, Bastri Kryeziu, Fatmir Smakaj dhe Mithat Bajra, por që një kërkesë e tillë nuk u miratua nga gjykatësi Shala.

“Palët e dëmtuara duhet të jenë patjetër prezent, pasi ato duhet ligjërisht ta prezantojnë fjalën hyrëse në këtë shqyrtim”, tha gjykatësi, duke shtuar se i dëmtuari që është shtetas i Shqipërisë, Ramza Lushi, do të ftohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare. Ndërsa palët tjera tha se do ftohen edhe një herë më ftesa të rregullta, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Ndryshe, në fillim të seancës, prokurorja Bina-Rugova propozoi që të përjashtohen publiku dhe mediat, pasi sipas saj këto janë raste të ndjeshme familjare.

Propozimi i saj u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Durim Osmani, e kundërshtoi me arsyen se anëtarët e familjes nuk preken direkt dhe nuk ka kushte të përjashtimit të publikut dhe mediave.

Mirëpo, meqenëse seanca është shtyrë, trupi gjykues nuk mori vendim lidhur me propozimin e prokurores.

Në këto rrethana, gjykatësi Shala e caktoi seancë e radhës për 1 qershor 2021, në ora 9:30. /Insajderi.com