Detaje nga aktakuza për të cilën u dënua Enver Hasani

Detaje nga aktakuza për të cilën u dënua Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani është dënuar sot me 1 vjet burgim me kusht për aferën e përkthimit të librave për nevoja të Universitetit të Prishtinës

“I akuzuar E.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti, cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhën prej dy vjet”, thuhet në një komunikatë për media nga prokuroria e shteti”.

Së bashku me Enver Hasanin janë akuzuar edhe dy persona tjerë,  Albert Rakipi dhe Haki Veliu, me nga 6 muaj burgim efektiv.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektor i UP-së, Enver Hasani, ish-shefi i prokurimit në UP, Hakif Veliu e drejtuesi i Institutit për Studime Ndërkombëtare, akuzohen nga Prokuroria speciale për ‘mashtrim në detyrë’.

Tre të akuzuarit obligohen që të dëmtuarës Universitetit të Prishtinës t’ia kompensojnë dëmin në mënyrë solidare në shumë prej 70.131,27 €, në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Hasani akuzohet për shpërdorim detyre në kohën sa ishte rektor në Universitetin e Prishtinës. Bashkë me të akuzohen edhe ish-shefi i zyrës së prokurimit në UP, Hakif Veliu, dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.

Enver Hasani, për një mandat, ishte në krye të Universitetit të Prishtinës, pikërisht edhe kur dyshohet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare në favor të interesit personal.

Në aktakuzën e ngritur të vitit 2015 ndaj Hasanit, Hakif Veliut e Albert Rakipit, thuhet se të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”.

“Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, në mënyrë që në vend të çmimit 12.65€ për 1000 fjalë, kanë shënuar çmimin 12.65€ për 1000 karaktere”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për aktakuzë.

Në këtë mënyrë, të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70 mijë e 426 euro. /Insajderi.com