Detaje nga ngjarja tronditëse në Tiranë: “Nënë e bijë rrinin qëllimisht pa ngrënë – u vetëflijuan”

“33 vjeçarja ka humbur jetën pesë muaj më parë, pasi që prej asaj kohe nuk ka kontaktuar me asnjë familjar. Mendohet që nëna dhe motra ia lyenin trupin me një solucion për ta mbrojtur nga dekompozimi dhe e mbulonin me kuvertë”.

Detaje nga ngjarja tronditëse në Tiranë: “Nënë e bijë rrinin qëllimisht pa ngrënë – u vetëflijuan”

Nënë e bijë, Zhaneta Josifi 56 vjeç dhe Anisa Josifi, 33 vjeç, u gjendën nga policia të pajeta në shtëpinë e tyre në Kombinat, Tiranë.

Vajza tjetër e familjes, Blerta, 30 vjeç, ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Policia u njoftua nga vëllai i 56-vjeçares, i cili prej ditësh përpiqej të kontaktonte me të motrën, por nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk i hapte derën, shkruajnë mediat në Shqipëri, njofton Insajderi.

Vlen të theksohet se nuk ka ende një version zyrtar të ngjarjes së rëndë, por nga të dhënat paraprake të policisë dhe gazetarëve në terren (via BalkanWeb), rezulton që ato u vetëflijuan duke ndërprerë ushqimit.

Fqinjët u shprehën për gazetarët se shpesh rrinin qëllimisht pa ushqim.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, deklaroi (via Lapsi.al) se “në trupin e viktimave nuk u gjendën shenja dhune”.

“Mendohet për një vetëflijim. Po grumbullojmë të gjitha provat materiale në ambientet e banesës. Kemi gjetur shënime të ndryshme me përmbajtje fetare,” tha ai.

Sipas Jaupajt, vajzat kanë qenë të arsimuara dhe kanë mbaruar studimet e larta.

Familjarë janë shprehur për mediat  se kanë shkuar për vizitë gjatë ditëve të fundit në shtëpinë e viktimave, por nuk e kanë takuar Anisën.

Ndërkohë gazetarja Dorjana Bezat raportoi për News24 se mendohet që 33 vjeçarja ka humbur jetën pesë muaj më parë, pasi që prej asaj kohe nuk ka kontaktuar me asnjë familjar. Sipas saj, mendohet që nëna dhe motra ia lyenin trupin me një solucion për ta mbrojtur nga dekompozimi dhe e mbulonin me kuvertë.

Nga të dhënat paraprake, raportohet se ato ishin besimtare të një sekti fetar (grup i vogël besimtarësh me një dogmë të veçantë, që janë shkëputur nga një bashkësi e madhe fetare ose që dallohen brenda saj). Megjithatë përmendja e sektit fetar – Dëshmitarët e Jehovait – është e paqartë dhe lë vend për diskutim, sepse pavarësisht si mund të përflitet nëpër media, rrjete sociale ose pavarësisht abuzimeve, Dëshmitarët e Jehovait nuk predikojnë vdekjen/vetëflijimin për t’u ringjallur.