fbpx

Detaje nga vrasja e Armenda Alijat në Prizren – I shoqi që dyshohet për vrasje e goditi rëndë para se të gjuante me 15 plumba

Detaje nga vrasja e Armenda Alijat në Prizren – I shoqi që dyshohet për vrasje e goditi rëndë para se të gjuante me 15 plumba

Në fillim të gushtit të këtij viti Armenda Alija, mbeti e vrarë me 15 plumba nga bashkëshorti  i saj Bajram Veliaj, në një lagje të Prizrenit.

Disa javë pas vrasjes, familja e viktimës përmes palës mbrojtëse, avokatit Arianit Koci, po kërkojnë dënimin me burgim të përjetshëm të të dyshuarit për vrasje Bajram Alija.

Gjithcka u bë e ditur, mirëpo, e ndjera para se t’i merrte 15 plumba në trup, është goditur nga bashkëshorti i saj. Pas kësaj goditje, dyshohet se Armendës filloi të i dalë gjak nga veshi, e pastaj ajo mori telefonin dhe thirri policinë. Por, thirrja e saj u ndërpre pasi, dy plumbat e parë dolën të jenë fatal për të.

Në një deklaratë për Gazetën Express, pala mbrojtëse e familjes Hoti, avokati Arianit Koci ka deklaruar se në bazë të provave që ai ka, del të jetë se vrasja u krye me paramendim.

“Në cilësinë e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara kam filluar me analizën e provave dhe dëshmive lidhur me vrasjen makabër të së ndjerës Armenda. Te gjitha provat tregojnë që vrasja ka qenë e paramenduar, e planifikuar mirë,  dhe se e njëjta, vrasja pra, është kryer në mënyrën më mizore të mundshme”, ka deklaruar për Express, avokati Arianit Koci i cili është palë mbrojtëse e familjes së dëmtuar.

Familja e viktimës po kërkojnë dënim maksimal për të dyshuarin për këtë vrasje.

“Për shkak të mizorisë ekstreme dhe paramendimit, kjo vrasje është kualifikuar si vrasje e rëndë, dhe kryesi i veprës e meriton dënimin me burgim të përjetshëm”, deklaron tutje Koci.

Ai thekson se ende nuk dihet motivi i kësaj ngjarje të rëndë. Mirëpo zënkat e as vrasja e çiftit, sipas tij, nuk kanë pasur të bëjnë me tradhti.

“Ende nuk dihet motivi, por sipas informatave të para, nuk është në pyetje tradhtia bashkëshortore. Me këtë rast, drejtësia duhet të dërgojë porosi të qartë: Vrasësit e grave të dënohen ashpër”, thotë Koci.

E ndërkohë, nga Prokuroria e shtetit po deklarojnë se po i vazhdojnë hetimet lidhur me këtë rast. Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, tha për Gazetën Express të dielën se janë në fazën e grumbullimit të provave. Ata kanë kërkuar që të kryhen edhe disa ekzaminime. Ndërkohë ende nuk janë intervistuar i dyshuari si dhe dëshmitarët e tjerë për këtë ngjarje.

“Ne ende jemi në fazën e grumbullimit të provave. Ende nuk janë intervistuar i dyshuari e as dëshmitarët. Po shpresojmë që në javën që vjen do të intervistohen. Ndërkohë jemi duke i pritur edhe disa prova shtesë. Raporti i autopsisë i bërë në trupin e viktimës pritet që javën të vijë tek ne”, deklaron prokurorja Gashi.

Në anën tjetër pala mbrojtëse e të dyshuarit për vrasjen, avokati, Orhan Rekathati tha se klienti i tij e ka pranuar veprën për të cilën ka thënë se ndihet i penduar.

“Ai e pranoi që e ka kryer vrasjen. Do të vazhdojnë hetimet ma tutje. Ai (Bajram Velija), deklaroi se gjithçka ka ndodhur aty për aty. Nuk kanë pasur diçka konflikte bashkëshortore. Nuk ka pas ndonjë motiv për hakmarrje ose diçka tjetër. Me moral ajo ka qenë në çdo pikëpamje mirë, nuk ka tradhtua. Vetëm pakënaqësi bashkëshortore”, thotë avokati.

Tutje, avokati Rekathati, deklaron se klienti i tij i ka thënë se asnjëherë nuk kishte ushtruar dhunë mbi gruan e tij tashmë të ndjerë dhe se fjalosja kishte qenë momentale.

Ndërkaq, Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj të pandehurit me iniciale B.V. nga Prizreni, që vrau gruan e tij Armenda Aliun.

“Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par.1.pika 1.3. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 07.08.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 06.09.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./ Insajderi.com