Policia e Kosovës ka bërë të ditur se veprimet e sotme në lagjen Dardania në Prishtinë janë bënë për t’i zbatuar vendimet e Gjykatës. Kurse menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike Banesore thotë se deri te kjo ndërhyrje erdhi për shkak se banorët nuk e respektuan vendimin e Gjykatës për lirimin e pronës.
“Policia e Kosovës informon dhe jep sqarim për opinionin e gjerë dhe mediat, se sot me datë 19.09.2016, duke u bazuar në shkresën e datës 02.09.2016, dërguar nga autoritetet kompetente, respektivisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë tek Policia e Kosovës, ku është kërkuar asistencë në ekzekutimin e lëndës me (nr.E.nr. 81/09) në Dardani-Prishtinë, janë ndërmarrë veprime konkrete operacionale për ofrimin e asistencës në ekzekutimin e kësaj lënde sipas vendimeve dhe procedurave ligjore”, thuhet në sqarimin e policisë.
“Bazuar në mandatin dhe obligimin që ka Policia e Kosovës në realizimin e urdhëresave gjyqësore, qëllimi i veprimeve të tilla operacionale ka qenë për të ofruar siguri për zyrtarët e autorizuar të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe zyrtarëve të tjerë gjatë proceduarës së përmbarimit të lëndës së potencuar më lart, ruajtja e rendit, qetësisë publike dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj secilit që cenon rendin dhe sigurinë”, vazhdon sqarimi.
Policia ka thënë se në vendin e ngjarjes gjithashtu ka qenë edhe gjyqtari kompetent i lëndës, duke shtuar se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me autoritetet respektive.
Gjatë ndërmarrjes së veprimeve operacionale në ofrimin e asistencës për ekzekutimin e kësaj lënde, policia thotë se banorët nuk janë pajtuar për lirimin e banesave dhe nuk kanë përfillur rekomandimet dhe as urdhrat e zyrtarëve kompetentë dhe në drejtim të zyrtarëve policorë kanë hedhur gjësende, si: ujë me shishe, kova të ujit, gjësende të forta (gurë) etj, përderisa një zyrtar policor ka pësuar lëndime, dhjetë persona janë sjellë në polici për intervistim.
Megjithatë, Policia e Kosovës thotë se ka arritur ta vë situatën nën kontroll duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për ekzekutimin e lëndës nga organet kompetente.
Kurse menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinëi (NPB) thotë se Gjykata Themelore në Prishtinë, së bashku më Policinë e Kosovës, ka ekzekutuar vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës për lirimin e 6 njësive të banimit nga 130 sosh të uzurpuara në lagjen Dardania në Prishtinë.
“Më konkretisht, është bërë lirimi i banesave me adresë Lagjja Dardania, SU 9/4 , Lamela 1 ,H-2, banesat nr. 1a, 2a, 1, 2, 3 dhe 4. Ndërmarrja Publike Banesore Sh. A. Prishtinë i ndjekur procedurën gjyqësore për lirimin e banesave të uzurpuara që gjenden në lagjen Dardania me adresë SU-9/4 Lamella që nga viti 2002. Pas shqyrtimit të padisë nga ana e Ndërmarrjes Publike Banesore SH.A Prishtinë në cilësinë e investitorit të banesave, kjo Gjykatë ka nxjerrë Aktgjykimin përmes së cilit konfirmohet se po bëhet shfrytëzim i jashtëligjshëm nga banorët dhe se ato objekte duhet të lirohen”, thuhet në komunikatën e kësaj ndërmarrjeje.
NPB thotë se ky veprim i sotëm ka ardhur pasi që kjo ndërmarrjeje i është drejtuar disa herë shfrytëzuesve të paligjshëm të këtyre banesave me një numër shkresash dhe njoftimesh në lidhje me lirimin e këtyre banesave. Përkundër këtyre shkresave, NPB thotë se uzurpuesit e këtyre banesave nuk i janë përgjigjur kërkesës së tyre.
“Ndërmarrja Publike Banesore është investitore e këtij kompleksi banesor që në total përfshin 131 njësi banesore. Pas lirimit të tyre, Ndërmarrja do t’i marrë në posedim për të vazhduar procedurën e përfundimit të ndërtimit dhe dorëzimin e tyre pronarëve legjitim, obligime këto të cilat parashihen me Kontratën mbi Bashkimin e Mjeteve”, thuhet më tej në sqarimin e NPB-së.
Ndërmarrja Publike Banesore u bën ftesë të gjithë shfrytëzuesve të jashtëligjshëm të pronave publike që t’i lirojnë ato sa më parë me qëllim që të evitohet intervenimi i policisë në cilësinë e ekzekutuesit të vendimit të Gjykatës.
“Ndërmarrja Publike Banesore mbetet e përkushtuar në kthimin në posedim të të gjitha pronave të cilat i takojnë dhe gjithashtu zotohet për përmbushjen e obligimeve ndaj bashkë-investitorve me qëllim që ndërtimi i banesave të përfundojë dhe prona t’i kthehet pronarëve legjitim”, përfundon komunikata./Insajderi.com