Në Kosovë cilësia e ajrit vazhdon të jetë e njëjtë krahasuar me vitet tjera. Viti 2017 po e lë vendin me ajër të ndotur sikurse që e la viti 2016.
Afrim Berisha nga Drejtoria për Gjendjen e Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në një përgjigje për portalin arbresh.info, ka thënë se trendi i cilësisë së ajrit në Kosovë është pothuajse i njëjtë me vitet e tjera, që sipas tij nënkupton se cilësia e ajrit nuk është në nivel të kënaqshëm edhe gjatë vitit 2017.
Sipas tij, dhjetori është më i ndoturi, për faktin se ky muaj është edhe muaji me temperaturë më të ulët, gjë që rritë kërkesën për konsume më të lartë të lëndës djegëse për ngrohje, e cila kontribuon edhe në rritjen e emisioneve në ajër, duke shkaktuar përkeqësim të cilësisë së ajrit.
“Nëse krahasojmë vitin 2016 me vitin 2017 në bazë të numrit të ditëve me tejkalime ,vërejmë se nr. i ditëve me tejkalim të vlerës se lejuar te PM10 në ajër, gjate vitit 2016 ishte 53 ditë , ndërsa gjate vitit 2017 deri me tani ka arrite në 44 dite pa muajin dhjetorë . Pritet që kjo vlerë të ngritët deri në fund të vitit pasi që dhjetori konsiderohet kritik në aspektin e ndotjes së ajrit,” ka thënë ai.
Berisha ka theksuar se për përmirësimin e dukshëm të cilësisë së ajrit duhet kohë dhe se MPMH ka ndërmarrë aktivitete lidhur me këtë aspekt.
“Një gjë pozitive qe vërehet viteve të fundit është se gjatë sezonit verorë ndotja e ajrit është më e ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo vije si rezultat i disa aktiviteteve afatshkurtra të ndërmarra si nga qeveria qendrore , lokale dhe nga sektori privat. Në këtë aspekt MMPH ka ndërmarrë disa aktivitete që të kontribuoje në zvogëlimin e ndotjes së ajrit , duke e rritë komunikimin dhe presionin tek të gjithë arteret që ne mënyrë drektë apo indirekte mundë të kontribuojnë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Nga presioni i MMPH është arritë që KEK –u të bindet që duhet të investojë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe gjatë viteve të fundit vendosën filtrat në TC A, pastaj është bërë mbulimi i një pjese të deponisë së hirit, përmirësimi i teknologjisë së transportit të hirit, por mbetet dhe shumë për tu bërë në mënyrë që të arrihet cilësi e mirë dhe e shëndetshme e ajrit”, u shpreh ai duke përmendur edhe mbështetjen nga Qeveria Japoneze për këtë gjë.
Njëra mbështetje vjen nga Qeveria Japoneze përkatësisht Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtare dhe tjera në kuadër të Programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Po ashtu në MMPH thonë se i kanë drejtuar kërkesa Ministrisë së Infrastrukturës për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për monitorimin e shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme apo automjetet motorike, pastaj kërkesa drejtuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për rritjen e kontrollit të cilësisë së derivateve si dhe kërkesa drejtuar komunave që sipas kompetencave të tyre të hartojnë plane lokale për reduktimin e ndotjes në ajër.
Sipas tij nuk janë vetëm institucionet kompetente ato që po ndihmojnë që të rritet cilësia e ajrit, pasi që Berisha përmend edhe qytetarët të cilët po kontribuojnë në këtë aspekt.
“Nuk mundë të lë pa e përmendë se në anën tjetër kohëve të fundit është rritë standardi i familjeve qe të mundë të investojnë në instalim të ngrohjeve individuale në shtëpitë e tyre , por ende shoqëria jonë nuk është në nivelin e duhur në aspektin financiari që të investojnë edhe në lëndën djegëse dhe në efiçiencën e energjisë në mënyrë individuale, kështu që përdorimi i lëndës djegëse të cilësisë së ulët siç është thëngjilli, është duke shkaktuar problem në cilësinë e ajrit dhe në mënyrë indirekte duke e rritë koston për secilin banor, pasi qe ndotja e shkaktuar nga përdorimi i thëngjillit do të paguaj qytetari në shëndet, qe nënkupton këtu edhe nivelin e vetëdijesimit për rendësin e përzgjedhjes se lëndës djegëse”, thotë ai.
I pyetur nga arbresh.info për rajonet me cilësinë e ajrit më të ndotur, Berisha përmend regjionin e Prishtinës.
“Ndotja e ajrit është problem global që në disa raste atakon edhe shtetet më të zhvilluara , por nëse nisemi nga vendi ynë, regjioni me cilësi të ajrit më të ulët është zona e aglomeratit të Prishtinës , qe përfshinë : Prishtinën , Fushë Kosovën, Obiliqin dhe zona industriale në Drenas. Ndërsa nëse nisemi në aspektin më të gjerë regjional mund të themi se në përgjithësi shtetet e regjionit të Ballkanit kanë problem më ndotjen e ajrit”, thekson ai.
Ndërsa sa i përket kryeqytetit sipas informatave nga kjo drejtori, MMPH përmes Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, e monitoron cilësinë e ajrit në 11 lokacione. Kjo Drejtori thotë se në këto stacione bëhet matja e grimcave PM 10 dhe PM 2.5, Dyoksidit të Sulfurit, Monoksidit të Karbonit, Dyoksidit të Azotit dhe Ozonit.
Sipas Drejtorisë për Gjendjen e Mjedisit, të dhënat e përgjithshme të monitorimit përpunohen dhe raportohen në baza mujore, ndërsa raportimi për grimcave PM 10 dhe PM 2.5, për Prishtinën bëhet edhe në baza ditore.