Dhjetra dhunime e sulme seksuale brenda vitit – nuk mjaftojnë të zbehet frika nga paragjykimi

Dhjetra dhunime e sulme seksuale brenda vitit – nuk mjaftojnë të zbehet frika nga paragjykimi

Dhjetëra dhunime, sulme seksuale e ngacmime të këtij lloji, kanë ndodhur vetëm gjatë këtyre pesë muajve të parë të vitit 2021.

Nga Policia e Kosovës në një përgjigje dhënë Gazetës Online Insajderi kanë njoftuar se gjatë muajve të parë të vitit 2021 janë raportuar 20 ngacmime seksuale, 28 dhunime si dhe 21 sulme seksuale.

Ndonëse numri i raportuar është i madh, psikologët besojnë se raste të shumta nuk deklarohen në organet kompetente dhe mbetet sekret për shkak të paragjykimeve dhe reagimeve nga familja e rrethi shoqëror.

Mosraportimi në organet përgjegjëse ndikon direkt në rritjen e rasteve të dhunës seksuale, thotë psikologia Antigona Qenaj-Sejdiu. Sipas saj, mungesa e dënimeve u jep hapësirë dhunuesve të përsërisin sjellje të tilla.

Ajo në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, theksoi se dhunimi seksual shumicën e rasteve mbetet i fshehur dhe një pjesë e madhe e viktimave e vuajnë brenda vetes gjatë gjithë jetës.

“Kjo ndodh për faktin se personi i dhunuar ka frikë të tregojë të vërtetën për shkak të paragjykimeve si dhe reagimeve nga familja e rrethi shoqëror”, deklaroi Qenaj-Sejdiu.

Psikologia tregoi se personat që kërkojnë ndihmë pas dhunës seksuale janë të paktë, dhe sipas saj, traumat që përjetojnë janë nga më të rëndat që dikush mund t’i jetojë.

“Marrja e ndihmës psikologjike për këto raste do të ishte një ndihmëse shumë e madhe për trajtimin e këtyre traumave”, potencoi Qenaj-Sejdiu.

Në anën tjetër edhe psikologia Lorela Garuli, i ka thënë redaksisë se personat e dhunuar hezitojnë të marrin pjesë në seanca rehabilituese.

Kjo sipas saj po ndodh për shkak të stigmës dhe mungesës së besimit, si dhe përkrahjes që atyre duhet t’iu jepet.

Ajo ka thënë se në këto raste është shumë e rëndësishme që “t’iu qëndrojmë afër viktimave dhe t’iu tregojmë se ata nuk kanë asnjëherë faj, sidomos kur janë fëmijë apo persona të mitur”.

Garuli më tej shtoi se personat që punojnë me viktimat duhet të jenë shumë të kujdesshëm për ta ruajtur konfidencialitetin, pasi që sipas saj, kjo do të ndikojë në përkeqësimin e situatës te personat e dhunuar.

Ajo tutje përmendi edhe media si një faktor që luan rol në përkeqësimin e gjendjes së viktimave, ndonëse publikimin e të dhënave mund ta bëjnë për të ndihmuar.

“Unë besoj që ka persona të dhunuar që ndihen keq nga fakti që njerëzit njohin historinë e tyre dhe ju behët publike. Duhet të kemi parasysh se pavarësisht dëshirës së mirë për të ndihmuar, detajet intime fatkeqësisht mund të jetë një formë tjetër e dhunës”, deklaroi ajo.

Me shtimin e numrit të rasteve të dhunës seksuale të raportuara, kanë filluar edhe nisma dhe nga organizata të ndryshme për t’i dalë në ndihmë këtyre personave.

Lidhur me këtë dukuri është organizuar edhe një peticion nga “Grazeta”, përmes së cilit po kërkohet publikimi i emrave të dhunuesve. /Insajderi.com