Dhjetra gjyqtarë e prokurorë u punësuan jashtligjshëm në universitetin “Kristal”

Ndonëse ishte nën hetim prej vitit 2012 për shitje diplomash, universiteti “Kristal” u kthye në një punëdhënës të madh për dhjetra prokurorë dhe gjykatës, të cilët u përfshinë në mësimdhënie në kundërshtim me rregulloret dhe ngrejnë dyshime për konflikt interesi.

Dhjetra gjyqtarë e prokurorë u punësuan  jashtligjshëm në universitetin “Kristal”

Në korrik të 2014-s, universiteti “Kristal” gjendej në prag të mbylljes dhe në mes të një procesi gjyqësor, por presidenti i tij Ahmet Muçaj përshkruhej si sponsor bujar në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Emri i Muçajt u lakua në KLD gjatë procedimit disiplinor për “fshehje pasurie” të Ken Dhimës, gjyqtar i Gjykatës Administrative të Vlorës, i cili pretendonte se kishte përfituar 59 mijë euro dhurata dhe sponsorizime nga presidenti i “Kristalit” gjatë viteve 2008-2011.

Procesverbali i zbardhur i mbledhjes së 7 korrikut 2014 të KLD-së ekspozon habinë e gjyqtarit Dhima se pse ishte i vetmi i akuzuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, kur sipas tij nga Muçaj kishin përfituar deri edhe “ministra dhe zv. ministra”.

“…Kam sjellë këtu Ahmet Muçaj, pasuria e tij është 30-40 milionë euro tani. Si mund të dyshojmë [nëse] më ka dhënë mua Ahmet Muçaj 50 mijë euro? Jo vetëm mua, por u ka dhënë ministrave dhe zv.ministrave, u ka blerë edhe shtëpia. Ç’ne u dyshokam unë?” replikoi Dhima përballë anëtarëve të KLD-së.

Gjyqtari Dhima e kaloi pa pasoja procedimin disiplinor, ndërkohë që argumentet e tij për miqësinë familjare me Muçajn e “Kristalit” dhe mungesën e shqetësimit për konflikt interesi në marrjen e parave u pranuan si normale nga shumica e anëtarëve të KLD-së.

Paralelisht me detyrën e tij si gjyqtar, Dhima punoi për 5 vjet edhe si pedagog i së drejtës romake në universitetin “Kristal”. Ai nuk ishte i vetmi.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se universiteti “Kristal” bashkë me rrjetin e vet të fakulteteve në rrethe u kthye në një punëdhënës të madh për dhjetra gjyqtarë dhe prokurorë të Shqipërisë përgjatë viteve 2006-2014.

Të paktën 30 gjyqtarë dhe 17 prokurorë kanë punuar për një ose më shumë vite si pedagogë në universitetin “Kristal” dhe kanë deklaruar të ardhura të përfituara prej tij në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Gjyqtarët dhe prokurorët e punësuar nga Ahmet Muçaj përbëjnë rreth 5 për qind të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. BIRN mësoi se pjesa më e madhe e tyre e kreu këtë aktivitet në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Ish-presidenti i universitetit “Kristal”, Ahmet Muçaj u arrestua në fillim të marsit teksa po tentonte të shiste një diplomë juridiku, thuajse katër vjet pas mbylljes së universitetit të tij. Ai po hetohet nën masën e “arrestit shtëpiak” për veprat penale të korrupsionit në sektorin privat dhe falsifikim të diplomave.

Telashet e Muçajt me drejtësinë erdhën pas dy hetimeve për shitje diplomash, të cilat u mbyllën që të dyja nga Prokuroria.

E pyetur nga BIRN nëse 17 prokurorët e përfshirë në mësimdhënie e kishin kryer këtë aktivitet në përputhje me ligjin dhe nëse ishin evidentuar shqetësime për konflikt interesi mes tyre, Prokuroria e Përgjithshme u rezervua të përgjigjej vetëm me një pasazh të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 39 i këtij ligji përcakton që funksioni i prokurorit është i papajtueshëm me çdo veprimtari tjetër publike, me përjashtim të mësimdhënies, e cila rregullohet me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi se vetëm dy gjyqtarë nga 30 gjithsej kishin respektuar urdhrin e KLD-së dhe kishin marrë autorizim për të dhënë mësim në universitetin “Kristal”.

“Nga kontrolli manual i dokumentacionit arkivor dhe konkretisht vendimarrjes së KLD-së për periudhën 2006-2014 rezultojnë vetëm dy gjyqtarë të kenë marrë autorizim për ushtrimin e mësimdhënies në universitetin jo-publik Kristal,” u përgjigj KLD.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Reporter.al