Dhuna ndaj grave në Kosovë, tri raste vetëm brenda një dite

Dhuna ndaj grave në Kosovë, tri raste vetëm brenda një dite

Si pasojë e shpërthimit të pandemisë Covid-19 në vendin tonë, dhuna ndaj grave në familjet kosovare është rritur dukshëm.

Edhe pse masat preventive ndaj përhapjes së këtij virusi janë lehtësuar nga ato që ishin të vendosura në muajt mars-prill, dhe qarkullimi i njerëzve është më i lehtë, dhuna në familje vazhdon të jetë prezente edhe sot.

Vetëm brenda 24 orëve të fundit, në raportin e përditshëm të policisë, janë shënuar tri raste të dhunës ndaj grave në tërë territorin e Kosovës.

Këto raste janë regjistruar në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Drenas, të cilat janë raportuar nga vetë viktimat e kësaj dhune.

“Prishtinë 15.07.2020 – 18:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar ku dhe si pasojë ka pranuar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Fushë Kosovë 16.07.2020 – 10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gllogoc 16.07.2020 – 18:12. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e ka kërcënuar atë. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimet e policisë. /Insajderi.com/