Dhunuan një grua me të meta mendore, dënohen me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim

Dhunuan një grua me të meta mendore, dënohen me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim

Gjykata Themelore në Pejë i ka dënuar me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të pandehurit me inicialet H.M dhe SH.G, për shkak se kanë dhunuar seksualisht viktimën B.SH me të meta mendore, njofton Insajderi.

“Viktima kishte shkuar në banesën e tij me sugjerimin e të akuzuarit SH.G dhe duke i ditur aftësitë e kufizuara mendore të saj, kryen akt seksual me të, për atë kohë sa e njëjta kishte qëndruar në banesën e tij, ku viktima pasi që del për të ble bukë me datë 07.02.2020, takohet me vëllezërit e saj afër banesës së të pandehurit H.M dhe rasti raportohet në polici”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, i pandehuri SH.G nga muaji maj i vitit 2019, e gjer me datën 07.02.2020, e ka detyruar viktimën B.SH për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj.

“Të pandehurve H.M dhe SH.G iu caktua masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit por, jo më gjatë se dënimi i shqiptuar”, thuhet tutje në njoftim.

Të pandehurit u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej 120 euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej 50 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm./Insajderi.com