Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka reaguar pasi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj saj për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Insajderi.
Hoxha, e ka quajtur të pabazuar dhe absurde aktakuzën e Prokurorisë Speciale e ngritur sot ndaj saj dhe katër zyrtarëve tjerë të ministrisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ajo ka thënë se nuk është njoftuar zyrtarisht për aktakuzën me të cilën ngarkohet lidhur me një kontratë për lobim në vlerë prej mbi 168 mijë euro.
“Nuk jam njoftuar zyrtarisht. Jam e pafajshme. Është absurde dhe kam ngritur padi për shpifjet nga raportimet joprofesionale”, ka thënë Hoxha, në një deklaratë për “Betimi për Drejtësi”.
“Ne kemi përcjellë procedurat lidhur me nënshkrimin e kontratës dhe jam plotësisht e pafajshme”, ka thënë ajo.
Prokuroria Speciale sot ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë pran gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, kundër pesë personave për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.
Pjesë e kësaj aktakuze është ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, sekretari i asaj kohe në këtë ministri, Demush Shasha, zyrtari Nuhi Osmani dhe dy të tjerë./Insajderi.com