Komisioni Evropian ka miratuar një strategji për agjendën e re të raporteve transatlantike, më saktësisht raporteve mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njofton Insajderi.
Kjo strategji është miratuar në takimin e së mërkurës, të kolegjit të Komisionarëve.
Në këtë agjendë strategjike të Komisionit Evropian përmendet edhe nevoja që BE-ja dhe SHBA-të të vazhdojnë bashkëveprimin edhe në Ballkanin Perëndimor, sidomos në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Evropa i ka dhënë Ballkanit Perëndimor perspektivë të anëtarësimit në BE. Vazhdimi i partneritetit mes BE-së dhe SHBA-së dhe koordinimi i afërt në Ballkanin Perëndimor është thelbësor, posaçërisht në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne, duhet të punojmë së bashku për të mbështetur pajtimin, përmirësojmë qeverisjen dhe të shtyjmë përpara reformat kyçe”, thuhet në tekstin e strategjisë së Komisionit Evropian për raportet mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
Bashkimi Evropian planifikon që të mbajë një samit mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në pjesën e parë të vitit 2021. /Insajderi.com