Zëvendësndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, bashkë me ambasadorin amerikan, Philipp Kosnett, janë takuar me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun si dhe nënkryetarin, Lutfi Haziri.
I pranishëm ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës nga LDK, Avdullah Hoti, njofton Insajderi.
Çështja dialogut ka qenë temë kyqe në takimin në mes zyrtarëve të kësaj partie opozitare dhe përfaqësuesit amerikan.
“Abdixhiku e njoftoi Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Ndërsa zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, z. Palmer e falenderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve”, thuhet në kumtesën e LDK-së.
Pos Palmerit, në Prishtinë të hënën do të arrijë edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.
Do të takohen me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ku çështje kryesore pritet të jenë bisedimet me Serbinë.
Më pas dyshja Palmer-Lajçak, të martën do të dalin në një konferencë për media rreth konkluzioneve nga takimet e zhvilluara. /Insajderi.com