Dialogu vazhdon në nivel ekspertësh – kështu u pajtuan Hoti e Vuçiq

Dialogu vazhdon në nivel ekspertësh – kështu u pajtuan Hoti e Vuçiq

Zëdhënësja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, është deklaruar në lidhje me takimin e ardhshëm që do të mbahet midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç raporton media serbe ‘Tanjug’, Massrali ka thënë sot se Hoti dhe Vuçiq kanë rënë dakord gjatë javës së kaluar për të vazhduar dialogun në Bruksel, në nivel ekspertësh.

Massrali ka shtuar tutje se Prishtina dhe Beogradi janë ftuar të dërgojnë ekspertët e tyre në mënyrë që të vazhdojnë dialogun për çështjet që janë diskutuar në Bruksel mes dy palëve, të enjten që lam pas.

Ndërkaq, kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka deklaruar se gjatë së enjtes në Bruksel do të udhëtojë Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut.

Sipas tij, qëllimi final është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve midis të dyja vendeve.

“Ky proces ka filluar pas më shumë 20 muajsh. Ditët e para e kemi qartësuar platformën tonë dhe kemi komunikuar me të gjithë. Është etabluar pozicioni i Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi final është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve”, është shprehur Hoti.

Ai tutje ka shtuar se dialogu është vetëm politik dhe se nuk pranojnë dialog Teknik.

“Dialogu është vetëm politik. Të enjten është një takim në Bruksel ku do të jetë Koordinatori për Dialog – të cilin do ta emëroj së shpejti – për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Dialog teknik nuk ka, vetëm politik për njohje reciproke”, ka përfunduar Hoti. /Insajderi.com/