Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, ka deklaruar se diaspora vetëm këtë vit ka dërguar mbi një milliard euro në Kosovë, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Demi thotë se bazuar në një studim të UNDP-së, 70 përqind e remitencave shpenzohet në konsum, arsim dhe shëndetësi.
Ndërsa, prej kësaj shume, së paku 128 milionë euro shkojnë direkt në buxhet të shtetit si tatime.
“Sa për krahasim, Pakoja Emergjente Fiskale si reagim ndaj pandemisë ka qenë 190 milionë euro. Prej kësaj pakoje kanë përfituar kategoritë sociale, janë pagu qeratë e bizneseve, janë pagu pagat e punëtorëve e kompensimet për të papunët”, thotë tutje Demi duke shtuar se nga kjo pako kanë përfituar edhe ato medium të cilat nxisin urrejtje ndaj 700 mijë pjesëtarëve të diasporës.
“Pra, indirekt diaspora financon edhe ata që nxisin urrejtja ndaj saj. Kjo nuk do të thotë që diaspora ka të drejtë tash me shpërnda grushte. Por, për mos me ndodhë kjo, duhet prokuroria të reagoj kur dikush i tejkalon limitet e fjalës së lirë dhe nxitë urrejtje”, shkruan tutje Demi, duke nënkuptuar kështu sulmin e djeshëm ndaj gazetarit Valon Syla, në qendër të Prishtinës.
Sulmi ndaj këtij të fundit erdhi si pasojë e deklaratave të Sylës lidhur me mërgimtarët. /Insajderi.com