“Dinaku” që sipas Vuçiq e shkroi “non-paper’in gjermano-francez”

“Dinaku” që sipas Vuçiq e shkroi “non-paper’in gjermano-francez”

Letrën jo zyrtare, apo siç njihet si “non-paper” e cila flet për zgjidhjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe e cila thuhet se përkrahet edhe nga Franca dhe Gjermania, duhet ta ketë shkruar një person shumë i aftë, që e njeh shumë mirë problemin dhe gjithashtu që është shumë dinak.

Kështu ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kur është pyetur se çfarë mendon për dokumentin jo zyrtar dhe a ka gjasë që eventualisht ai të jetë autori.

“Letra është shkruar nga dikush që është tepër i aftë në çështjen e Kosovës, dhe dikush që është shumë më i zgjuar, shumë më i zgjuar dhe më dinak se unë”, ka thënë Vuçiq, shkruan Danas, njofton Insajderi.

Prandaj, siç thotë presidenti serb, më shumë e ka shqetësuar kjo letër sesa ajo e para që besohet se doli nga kryeministria sllovene.

Sa i përket përbërjes së letrës, në të cilin, pos tjerash thuhet se Serbia e Kosova do ta njohin integritetin territorial dhe sovranitetin e njëra tjetrës, Vuçiq tha se me këtë pjesë nuk pajtohet dhe se “është e papranueshme”, por që “ka pika tjera që janë të mira për Serbinë”.

“Ka shumë gjëra që serbët do të dëshironin, por pastaj keni edhe njohjen e Kosovës, e cila është e tmerrshme për serbët. Njohja e Kosovës është e papranueshme për ne, por le të shohim dhe analizojmë të gjitha gjërat e tjera që u ofruan – tha Vuçiq në Pukovac, afër Doljevac.