Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, e vlerësoi si "shumë pozitiv" një takim që" />

Disa orë pas takimit, Walker ua harron emrat dy zyrtarëve të LDK-së

Disa orë pas takimit, Walker ua harron emrat dy zyrtarëve të LDK-së

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, e vlerësoi si “shumë pozitiv” një takim që zhvilloi sot me tre zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK): Vjosa Osmanin, Ardian Shalën dhe Haxhi Avdylin.

Mirëpo, disa orë pas takimit, ai i harroi emrat e dy zyrtarëve të LDK-së me të cilët u takua të hënën në Prishtinë.

Walker, i cili po qëndron në Kosovë ditëve të fundit, tha se nuk i kujtohen emrat e dy anëtarëve të LDK-së: Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala. Tha se e vetmja gjë që i kujtohet është profesioni i tyre.

“Takova dy persona të tjerë nga LDK, të dytë doktor, një neurokirurg dhe një doktor të zemrës, por nuk më kujtohen emrat. Patëm një takim shumë pozitiv”, tha Walker.

Ndërkaq, Haxhi Avdyli, deputeti i zgjedhur i LDK-së, shkroi fjalë të çmuara për Walkerin, të cilin tha se e takoi në zyrat e Lidhjes Demokratike.

“‘Miku i mirë i kohërave të vështira’. Ambasadori William Walker miku i përhershëm i Kosovës sot në takim në zyret e LDK-së në Prishtinë”, shkroi Avdyli në Facebook.

Njëjtë veproi edhe Ardian Shala, kardiologu i LDK-së, të cilit po ashtu William Walker nuk ia mbajti në mend emrin.

“Një takim me mikun më të çmuar të Kosovës, ambasadorin William Walker i cili ishte dhe është përherë pranë nesh”, u deklarua Shala pas takimit.

Walker dhe tre zyrtarët e LDK-së biseduan për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet LDK-së dhe LVV-së. /Insajderi.com