Rastet që kanë rezultuar pozitive në Coronavirus për herë të dytë janë paraqitur në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, transmeton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Ajazaj-Berisha, e cila tha se ka pacientë që herën e parë e kanë kaluar lehtë virusin, ndërsa për herë të dytë kanë pasur nevojë që të trajtohen në spital.
“Po gjatë këtyre kohëve të fundit kemi pasur edhe raste që na kanë ardhur për herë të dytë me Covid-19 të cilët kanë qenë gjatë muajve të verës të konfirmuar me PCR-pozitiv dhe tani përsëri kanë qenë Covid- pozitiv, në mesin e tyre kemi pacientë të cilët në atë kohë nuk kanë pasur manifestime klinike ose kanë pasur manifestime të lehta, ndërsa tani kemi disa prej rasteve që edhe duhet të spitalizohen”, ka thënë ajo për EO.
Një shqetësim në Klinikën Infektive, sipas drejtoreshës është mungesa e barnave.
“Ne në klinikën Infektive për momentin kemi vetëm rastet Covid pozitiv, të cilët janë të spitalizuar, kohë pas kohe kemi mungesa të barnave, sidomos të antibiotikëve, mirëpo vazhdimisht jemi në takime me menaxhmentin edhe drejtorinë e ShSKUK-së në mënyrë që të mund të sigurohen të gjitha barnat që të mos kenë nevojë që pacientët t’i sigurojnë me mjete vetanake, mirëpo kohë pas kohe kemi mungesa”.
Mes tjerash ajo përmend edhe kapacitetet e Klinikës Infektive, duke treguar që prej fillimit të pandemisë e deri më tani kanë qenë në shërbim të qytetarëve.
“Tani në klinikën Infektive po bëhen gati një vit që veçse kemi filluar me rastet, në fillim rastet e dyshimta pastaj edhe rastet e konfirmuara nga 13 marsi dhe deri më tani kemi qenë me të gjitha kapacitetet të cilat na i kemi vazhdimisht në shërbim të qytetarëve pa u kursyer për asnjë moment as veten e as familjet dhe jemi munduar që në çdo kohë për çdo qytetar, i cili ka pas nevojë për hospitalizim, të jetë i spitalizuar”, ka përfunduar drejtoresha e Infektivës. /Insajderi.com