Disa shefa të ATK-së nën hetime nga Prokuroria

Disa shefa të ATK-së nën hetime nga Prokuroria

Teksa Administrata Tatimore e Kosovës e ka gjetur veten të përfshirë në njërin prej aksioneve më të mëdha të autoriteteve kosovare për mbylljen e lojërave të fatit, zyrtarët e këtij institucioni po përballen me hetime për keqpërdorime.

Disa zyrtarë të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencë, Safet Krasniqi dhe “disa shefa të tjerë të ATK-së” janë nën hetime nga Prokuroria, ka thënë për Insajderin, Sylë Hoxha, prokuror i Prokurorisë Speciale.

“Po, unë e kam rastin. Unë i kam hapur hetimet ndaj Safet Krasniqit dhe ndaj disa shefave të tjerë – tash nuk i di me emra mirë, por janë disa”, ka thënë prokurori i rastit, Sylë Hoxha, në një bisedë telefonike me Insajderin të premten. “I kemi hapur hetimet ndaj tyre dhe jemi në procedurën e grumbullimit të provave.”

Insajderi ka mësuar se përveç Krasniqit dhe disa shefave të tjerë në ATK, të përfshirë nën hetime janë 12 zyrtarë të Administratës Tatimore.

Hetimet, të cilat kanë nisur rreth një muaj më parë, kanë filluar mbi dyshimet e bazuara se gjatë ushtrimit të autorizimeve që kanë pasur, udhëheqësi aktual i divizionit për Hetime Tatimore dhe Inteligjencë, Safet Krasniqi dhe disa udhëheqës të divizioneve të tjera – emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur – nuk kanë bërë trajtim të barabartë të subjekteve.

“Është fjala për keqpërdorim të detyrës zyrtare; nuk i kanë kryer disa obligime që është dashur t’i kryejnë”, ka thënë Hoxha për Insajderin në bisedë telefonike.

Kur Insajderi ka kërkuar sqarime më të detajuara në lidhje me hetimet ndaj Krasniqit dhe 12 zyrtarëve të tjerë të ATK-së, prokurori Hoxha përmes një përgjigje me shkrim ka deklaruar se nuk mund të japë informata në mënyrë “që të mos dëmtohen hetimet”. /Insajderi.com