Disa zona të Dukagjinit rrezikohen sërish nga vërshimet

Disa zona të Dukagjinit rrezikohen sërish nga vërshimet

Në dy ditët e ardhshme në Kosovë parashihet të ketë reshje shiu, kurse në viset e larta reshje bore, ku si pasojë disa zona të Dukagjinit janë të rrezikuara nga vërshimet, njofton Insajderi.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se të mërkurën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi deri 12m/s.
Ndërkohë, të enjten parashihet që vendi të ndikohet nga masat e lagështa të ajrit duke krijuar kushte për vranësira të dendura të cilat do ti takojnë stadit të ulët dhe të mesëm të Troposferës.
“Kjo situatë e krijuar meteorologjike do të krijoj kushte që të kemi reshje shiu, kurse në viset e larta reshje bore. Reshjet do të përfshijnë gjithë territorin duke rrezikuar disa zona të Dukagjinit nga vërshimet. Temperaturat do të shënojnë ulje në të dy vlerat ekstreme”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Minimalet do të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-10m/s./Insajderi.com