Inspektorët komunalë në Kosovë po ndjehen të diskriminuar, pasi përkundër faktit që vazhdimisht janë në terren për të inspektuar zbatimin e masave kundër COVID-19, nuk janë kompensuar nga qeveria.
Për këtë arsye Komuna e Prishtinës ka vendosur të mos e ketë prioritet zbatimin e masave të fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës, të cilat janë në fuqi deri më 18 prill.
Drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Adonis Tahiri, ka deklaruar se zbatimin e masave anti-COVID’19 inspektorët e kësaj komune do ta trajtojnë varësisht prej kohës që kanë në dispozicion, “njësoj sikur secilën temë tjetër, pa i dhënë fare prioritet”.
“Nuk mund ta rrezikojmë stafin tonë çdo ditë e në vazhdimësi, e në anën tjetër të jenë sektor dhe profesione të tjera të cilat paguhen për rrezikshmërinë që e bartë Covid-i”.
Inspektorët nuk janë kompensuar as në Komunën e Mitrovicës. Megjithatë, ata thonë, se janë duke inspektuar me rigorozitet nëse masat po respektohen.
Drejtori i Inspekcionit në Mitrovicë, Fidan Ademi, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, theksoi se qeverisë i kanë dërguar një listë me emrat e inspektorëve për kompensim dhe se po presin përgjigje.
Ndërsa, sa i përket zbatimit të masave, Ademi u shpreh se kanë vërejtur vetëdijesim të qytetarëve.
“Masat e reja jemi duke i inspektuar. Vazhdimisht jemi në terren. Po shohim një vetëdijesim të qytetarëve për t’i zbatuar masat e vendosura nga qeveria. Kemi intervenuar në disa lokale, i kemi mbyllur ato”, potencoi ai.
Inspektimi i masave po vazhdon të jetë prioritet edhe për inspektorët në Komunën e Istogut, ndonëse edhe ata janë përjashtuar nga pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike, e miratuar në kohën e kryeministrit Avdullah Hoti.
Drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Demë Çeta për Insajderi-n tha se listën me emrat e inspektorëve qeverisë ia kanë dorëzuar më 12 mars, por akoma nuk kanë marrë përgjigje.
“Po, masat jemi duke i inspektuar, por inspektorët komunal nuk janë kompensuar, ndonëse kanë punuar gjatë pandemisë. Ne i kemi dërguar emrat e punëtorëve me 12 mars dhe po presim përgjigje nga qeveria. Gjithsej kemi shtatë inspektorë”, deklaroi Çeta.
Kërkesën për kompensimin e shtesave të inspektorëve e kanë dërguar edhe nga Komuna e Drenasit.
Drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Milaim Hajdari, tha se janë në pritje të një përgjigjeje, por se punën nuk e ndalin.
“Masat jemi duke i inspektuar në vazhdimësi. Sa i përket kompensimit, inspektorët e komunës tonë janë kompensuar vetëm për dy muaj të vitit të kaluar, por më jo. Pavarësisht kësaj ne nuk e kemi ndaluar punën. Kemi bërë kërkesë përmes Asociacionit të Komunave, por akoma nuk kemi marrë përgjigje”, tha ai në një prononcim për Insajder-in.
Ndërkaq, Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në një prononcim për Insajderi-n tha se “përveç mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe rrezikshmërisë ndaj pandemisë, inspektorët janë të dekurajuar për shkak se nuk i kanë marrë shtesat”.
Ai shtoi se i kanë kërkuar qeverisë që t’i përkrahë me 200 inspektorë të rinj, në mënyrë që zbatimi i masave të jetë në nivel.
“Kemi vërejtur se kemi mungesë të inspektorëve, ndaj kemi kërkuar nga qeveria që të na përkrahë me 200 inspektorë të rinj. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka qenë pozitiv ndaj kësaj kërkese”, tha tutje Ibrahimi.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin për medie të Qeverisë Kurti II, Përparim Kryeziun si dhe me zyrtarë në Ministrinë e Financave, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.
Qeveria e Kosovës, më 22 korrik, ka aprovuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Ky projektligji synon të luftojë dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike kap vlerën e 385 milionë eurove./Insajderi.com