Diskutohet rregullimi me ligj i punës praktike në Kosovë

Diskutohet rregullimi me ligj i punës praktike në Kosovë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot do të mbajë tryezën diskutuese me temën ‘’Rregullimi Ligjor i Punës Praktike në Kosovë’’.

Në Kosovë nuk ka kornizë ligjore të përshtatshme dhe gjithëpërfshirëse sa i përket rregullimit të punës praktike. Me përjashtim të rregullimit të punës praktike si pjesë e masave aktive të punës nga APRK-ja për të ndihmuar të papunët, korniza ligjore nuk e rregullon punën praktike, sidomos në raste kur angazhimi bëhet drejtpërdrejt nëpërmjet punëdhënësit dhe praktikantit. Ndërsa puna praktike mund të keqpërdoret nga punëdhënësit, sidomos nëse nuk ka mbikëqyrje institucionale.

Mungesa e konsoliduar ligjore për punën praktike, shkakton që praktikantet/ët në Kosovë të ballafaqohen me probleme të shumta të cilat janë në kundërshtim me standardet e BE-së. Ndërsa një nga problemet kryesore është kontraktimi i punës praktike, e cila sipas Ligjit të Punës nuk është obligative.

Në këtë tryezë do të bëhet prezantimi i një hulumtimi parlamentar rreth rregullimit të punës praktike në Kosovë, me që rast do të diskutohen se si punës praktike mund të trajtohet si një politikë për zbutjen e papunësisë së të rinjve dhe reformimin e sistemit të arsimit në Kosovë.