Dita e besës dhe tradhtisë

Në ditën kur pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës, e ndoshta në të njëjtën ditë edhe Qeveria, janë rritur deklaratat se mandatari i parë i ka siguruar votat e mjaftueshme. Madje zyrtarë të koalicionit fitues kanë thënë me bindje të plotë se kjo është punë e kryer.

Dita e besës dhe tradhtisë

Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën më 11 qershor.

Por votat e tyre, përfshirë edhe ato të minoriteteve si obligim kushtetues, nuk mjaftojnë që të krijohet qeveria e re. Kjo do ta detyrojë koalicionin PAN që të sigurojë vota dika tjetër.

Gjithashtu, janë përfolur emra të deputetëve të partive tjera, të cilët nuk e kanë përjashtuar kategorikisht votimin e Qeverisë Haradinaj.

Por partitë, deputetët e të cilave janë përfolur, kanë deklaruar me bindje se janë unik në qëndrime, dhe se nuk kanë votë as për ta zgjedhë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi, e as për ta zgjedhë kryeministër Ramush Haradinajn.

Pavarësisht kësaj, Rregullorja e Kuvendit, ndër tjera, e njeh edhe formën e fshehtë të votimit të Qeverisë. Por për këtë do të duhej të ketë konsensus të partive politike në Kuvend.

Neni 29 i Rregullores së Kuvendit që flet për zgjedhjen e Kryeministrit dhe e Qeverisë, ndër tjera thotë se “mënyrën e votimit për zgjedhjen e Qeverisë e përcakton Kuvendi”.

Nëse merret parasysh mendimi i zyrtarëve të koalicionit PAN, se tashmë i kanë siguruar votat, atëherë deputetët e partive tjera do ta kenë shumë të lehta ta përkrahin ‘Qeverinë Haradinaj’ me votën e tyre të fshehtë.

Por kjo mbetet të shihet se si do të vendosë Kuvendi për mënyrën e votimit.

Megjithatë, nga praktikat e deritashme, votimi i qeverisë në Kuvend është bërë në mënyrë të hapur.

Aty ka disa forma, ndër të cilat Kuvendi mund të vendosë, mirëpo dy janë kryesore – votimi i hapur elektronik apo votimi i fshehtë.

Por gjasat janë të vogla që të votohet në mënyrë të fshehtë. Por edhe nëse vendoset për një mundësi të tillë, partitë do të shikojnë mundësitë, të paktën t’i identifikojnë ‘deputetët tradhtarë’.

Ndër mënyrat është edhe largimi i deputetëve apo grupeve parlamentare të cilat nuk do ta votojnë kryetarin dhe qeverinë.

Në këtë formë, deputetët që do të qëndrojnë në seancë, potencialisht do të llogariten si votues të kryetarit dhe qeverisë.

Për të ardhur deri te forma e fshehtë e votimit, paraprakisht Kuvendi duhet të vendosë./Insajderi.com