Viteve të fundit kemi parë ndarjen e partive në dy fraksione, të cilat, mbi bazën e parimeve, thanë se iu desh t’i ndanin rrugët. Nisën fyerjet, sharjet, akuzat për ato që ata nuk pajtoheshim mes vete. Mbi këto kauza pastaj kërkuan edhe votën e popullit, dhe kështu, dalëngadalë u ngjitën në majat e pozitave politike e publike. Tash u bënë bashkë në koalicione.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i kishte ndarë rrugët me PDK-në në shtator të vitit 2013, duke formuar më vonë partinë e re “Nisma për Kosovën”, bashkë me Jakup Krasniqin, si dy figura thellë të pakënaqura brenda PDK-së.
Ndër arsyet e ndarjes, sipas Limajt, ishte mungesa dhe devijimi i PDK-së nga parimet.
“Ngado që kam shkuar këto dy muaj ku jam takuar me mijëra qytetar të gjithë më kanë pyetur se kur po ja nisim. E unë po ju them sot se pikërisht tash po ja nisim. Nga sot Kosova do të ketë një nismë të re një alternativ të re politike”, pati thënë Limaj më 28 shkurt të vitit 2014 në konventën e themelimit të partisë.
Figura tjetër e pakënaqur brenda PDK-së dhe bashkëthemelues i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, e pati akuzuar PDK-në për mungesë demokracie.
“Fatkeqësisht i tërë procesi i themelimit dhe konsolidimit të shumicës së forcave politike të Kosovës u kufizua vetëm në disa aspekte procedurale, demokracia si vlerë mbeti jashtë dyerve të partive politike dhe për pasoj jashtë jetës institucionale”, pati thënë Krasniqi.
Zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor i kanë ndryshuar gjërat.
Pas lidhjes së koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, Limaj thotë se Kosovës po i kthehet shpresa.
“Jemi bashkuar që t’i japim shpresë Kosovës, ky është koalicion i shpresës”, ka thënë Limaj.
Pas divorcit me PDK-në, tash Nismës për Kosovën i duhet të bashkëjetojë në një shtëpi me PDK-në (koalicion).
Edhe Alternativa do të bashkëjetojë me AKR-në
Mimoza Kusari-Lila vendosi të largohet nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit vitin e kaluar. Ajo aktualisht mban postin e kryetares së Komunës së Gjakovës.
“Përderisa vitin e kaluar kam shpall kandidaturën dhe pas një kohe ka pas një ndryshim në qasje ku kam qene pjesë e sulmeve të ndryshme që s’duhet të ndodhin në parti politike. AKR-ja si subjekt politik ka një qasje dhe një program të mirëfilltë. Nëse kemi dështua si parti kjo është për arsye të mos menaxhimit të mirë”, kishte thënë Kusari-Lila.
Pas largimit, shpërthyen akuzat e ndërsjella mes Pacollit dhe Kusari-Lilës. Kjo e fundit e kishte akuzuar tashmë ish-subjektin politik se ka dështuar të bëjnë politikë edhe pse ka pasur individë profesionalë.
Ajo themeloi partinë e re “Alternativa”, së bashku me ish-deputetin e pakënaqur të Vetëvendosjes, Ilir Deda, i cili kohën e fundit kaloi si deputet i pavarur.
Por Pacolli kishte thënë se Kusari-Lila ishte larguar nga AKR-ja për shkak se Këshilli Drejtues nuk e kishte lejuar atë të bëhej presidente e partisë.
“Edhe pa Mimoza Kusarin kemi pasur vota”, kishte thënë Pacolli.
Ai kishte thënë se Kurasi-Lila ka qenë anëtarja më e privilegjuar në parti, pasi falë AKR-së ajo kishte marrë dy poste të larta në bashkëqeverisjen me PDK-në – atë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë.
“Mimoza Kusari-Lila ka qenë e përkëdhelur në AKR, prej ardhjes së saj asnjë grua nuk ka ardhë në AKR”, kishte thënë ai.
Madje kishte thënë se ia kishte paguar asaj fushatën elektorale për kryetare të Gjakovës.
Por Kusari-Lila këto akuza i kishte mohuar, duke thënë se nuk është bërë kryetare e Gjakovës falë Pacollit.
U harruan këto. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor kanë bërë që “armiqtë e vjetër” të garojnë në një listë të përbashkët. Bashkimin e tyre e arriti LDK-ja, e cila vendosi të bëjë koalicione parazgjedhore me to./Insajderi.com