Djali i Agim Bahtirit i kërkon të atit të rikandidojë për kryetar të Mitrovicës

Djali i Agim Bahtirit i kërkon të atit të rikandidojë për kryetar të Mitrovicës

Pas raportimeve të sotme se Agim Bahtiri mund të mos kandidoj për kryetar të komunës së Mitrovicës në zgjedhjet e 22 tetorit, familja e tij i ka bërë një apel publik, duke i kërkuar që të rikandidoj.

Djali i tij, Valoni, i cili është drejtor i kompanisë Hirano Mushrooms, e ka publikuar një shkrim prekës duke i kujtuar momente të rëndësishme familje në të cilat Agim Bahtiri ka munguar.

Megjithatë, Valoni në emër të familjes i kërkon babait të tij që të rikandidoj për kryetar të Mitrovicës.

“Kur jemi në përfundim të katër vjetshit të parë të qeverisjes së tij, po shihet qartazi puna e tij e sinqertë dhe e madhe në fytyrat e njerëzve të Mitrovicës. Ndihem krenar që këtë ndryshim pozitiv në këto vite e ka bërë babai im, me përkrahjen e mitrovicasve”.

“Ne si familje e ndijmë për çdo ditë mungesën e tij, por ai do të ketë mbështetjen tonë të plotë që t’iu përgjigjet pozitivisht mijëra kërkesave të qytetarëve të Mitrovicës”, ka shkruar Valon Bahtiri.

“Edhe pse përgjatë këtyre katër viteve të kanë lindur nipa e mbesa, ardhjen e të cilëve në jetë nuk ke mundur ta përjetosh nga afër, sikurse që nipat dhe mbesat tjerë tashmë janë rritur shumë, ne do të bëjmë prapë një sakrificë për hir të qytetarëve të Mitrovicës. E gjithë familja të japim mbështetjen e plotë për të qeverisur Mitrovicën edhe në katër vitet e ardhshme, edhe pse do të na mungosh shumë”, ka përfunduar.