
Betim Hasi, djali i drejtorit regjional të Policisë së Gjakovës Ahmet Hasi, po synon të ndjek rrugën e babait të tij.
Në listën e parë me emrat e kandidatëve që i plotësonin kushtet për t`iu nënshtruar testeve për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës, nuk figuronte emri i Betim Hasit.
Mirëpo, në listën e publikuar së fundmi emri i tij tani figuron në këtë listë si njëri nga kandidatët që i plotëson kushtet për të vazhduar me testet terja që organizon Policia.
I kontaktuar përmes telefonit nga Kallxo.com, drejtori Ahmet Hasi tha se nuk i di detajet se pse në listën e parë e kishin refuzuar djalin e tij.
“Unë nuk i di arsyet se pse e kanë refuzuar, por ju mund të flisni direkt me Betimin dhe ai ju tregon”, ka thënë Hasi përmes telefonit.
Betim Hasi tha për Kallxo.com se pasi nuk e kishin përfshirë emrin e tij në listën e parë të publikuar, ai kishte ushtruar ankesë.
“Unë s`kam qenë në listën e parë, por jam ankuar. Arsyeja pse s`kam qenë në listën e parë ka të bëjë me diplomën time. Policia kanë pasur paqartësi dhe me ankesë unë i kam ofruar të gjitha dëshmitë e nevojshme dhe tani në listën e dytë, pra pasi është shqyrtuar ankesa ime më ka dal emri edhe mua”, ka deklaruar Betim Hasi, kandidat për t`u bërë pjesëtar i Policisë.