Djali i Smajl Hajdarajt refuzon të ngushëllojë për vdekjen e Adem Demaçit

Djali i Smajl Hajdarajt refuzon të ngushëllojë për vdekjen e Adem Demaçit

Shpëtim Hajdaraj, djali i zyrtarit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, ka reaguar pas kritikave ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, për mospjesëmarrjen e zyrtarëve të kësaj partie në varrimin e Adem Demaçit.

Shpëtim Hajdaraj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mllefi ndaj LDK-së, ka qenë i pakuptimtë, duke shtuar se të gjithë e dinë se kush ka qenë në varrimin e Ibrahim Rugovës dhe zyrtarëve tjerë të kësaj partie.

“Sa për Ibrahim Rugovën , LDK-në , Ahmet Krasniqin , Smajl Hajdarajn , Xhemail Mustafën e plot e plot të tjerë , veprimtari Adem Demaqi do të jetonte edhe 1000 vite jetë (po ti jepte jetë Zoti), për qe do të ishin këta shkaktarë të mos jetesës së tij. Sot pashë mllef e nxitje të pashembullt nga “mediat” dhe analista kundër LDK-së , sikur këta (mos e bë Zot) ta kishin vrarë bacën Adem. E kundërta ndodhi me shumë personalitete kombëtare. Ahmet Krasniqi u vra nja një muaj apo dy pas marrëveshjes në Osllo me bacën për bashkim e luftë të përbashkët shqiptarësh. E dimë të gjithë kush ka marr pjesë në varrim e kush jo”, ka thënë Hajdaraj.

Ai ka thënë se gjithashtu dihet se kush ka marrë pjesë edhe në varrimin e Ibrahim Rugovës, dhe kush e quante atë tradhëtar.

“Ibrahim Rugova i kishte 3-4 tentim atentate , për shkak të veprimtarisë së tij politike , dhe fatmirësisht vdiç nga një vdekje natyrale (?) dhe të gjithë e dijmë se kush ka marr pjesë në varrim e kush jo . Edhe kush e quante “tradhëtar” para e pas vdekjes. Prap heshtëm të gjithë , përfshirë edhe mediat nxitëse të përqarjes”, ka shkruar Shpëtim Hajdaraj.

Hajdaraj ka shtuar se nuk ia dëshiron vdekjen askujt, por ka thënë se derisa të qartësohen disa gjëra, refuzon që të ngushëllojë për vdekjen e Adem Demacit.

“Sa për kritika parimore (?) të bacës për Ibrahim Rugovën , pesë pare nuk i jap. Edhe vet Ibrahim Rugova e çmonte kritikën si vlerë.  Por si me ja ba që u vranë shumë personalitete kombëtare nga polarizimi i skajshëm shoqëror që mbizotëronte gjatë e pas lufte? Vdekjen nuk ja dëshiroj askujt , por deri të qartësohen shumë gjëra të liga , refuzoj të ngushëlloj”, ka thënë Hajdaraj.