“Djalin ta kanë rreh rusët në disko” – arsyeja qe çoi në përplasjen e dy familjeve kosovare

“Djalin ta kanë rreh rusët në disko” – arsyeja qe çoi në përplasjen e dy familjeve kosovare

Dy familje kosovare janë përplasur me njëra-tjetrën pas prishjes së marrëdhënieve mes një çifti, të cilët vijnë nga dy familjet përkatëse. Bëhet fjalë për një familje nga Gjilani dhe një tjetër nga Drenasi, fëmijët e të cilëve ishin fejuar dhe po bashkëjetonin prej disa javësh.

Mirëpo, kur marrëdhëniet mes çiftit u prishin, ashtu ndodhi edhe me dy familjet. Anëtari i njërës prej familjeve ka kërkuar haraç nga teologu Mustafa Bajrami, i cili ishte përfshirë si ndërmjetësues për pajtimin e dy familjeve. Bajrami para disa ditësh akuzoi familjen Hamiti nga Drenasi se i kanë kërkuar haraç, pasi djali i tij prishi marrëdhëniet me të fejuarën nga Drenasi.

E familja e cila akuzohet që ka kërkuar haraç nga Mustafa Bajrami, po thotë se deklaratat e tij janë të pavërteta.

Mehdi Hamiti, i cili ka vendosur që problemin e vajzës së tij me të fejuarin e vet ta zgjidh përmes formave primitive, Kanunit dhe fesë, thotë se arsye e prishjes së marrëdhënieve mes vajzës së tij dhe djalit nga Gjilani ka qenë fakti se ish-partneri i vajzës së tij vizitonte klubet e natës. Madje, ai thotë se ish-partnerin e vajzës së tij e kishin rrahur disa rusë në diskotekë.

“Kjo ngjarje ka filluar prej marsit të këtij viti. Pesë javë ditë çika nuk më ka tregu se ka probleme me personin. Por pas pesë javë ditësh më ka tregu vajza për problemet. Na kemi dashur veç me bisedue dhe me kuptue se ku është problemi. Edhe kur i kam thanë babës së tij, se mbramë kur të ka dalë djali në diskoteka dhe ta kanë rreh rusët e të ka ardhë me sytë qivit, i kam thanë pse s’e ke pyet djalin; ku je kanë?”, thotë Mehdi Hamiti për T7.

Ai shprehet se familja e të fejuarit të vajzës, kishin kërkuar që të kenë ndërmjetësues për ta zgjedhur problemin mes çiftit. Madje familjet të cilat jetojnë në Gjermani, kishin angazhuar edhe atje një hoxhë për ta zgjedhur problemin.

Kur çështja u zhvendos në Kosovë, në të u përfshi edhe miku i familjes Hamiti, i cili tani gjendet në paraburgim. Kjo për shkak se Gjykata ka konstatuar se ai ka ngacmuar Mustafa Bajramin, i cili po pretendon se i është kërkuar haraç.

Mirëpo sipas prindit të vajzës, ata vetëm kishin kërkuar dëmshpërblim pasi që sipas tij, djali i familjes Bajrami e kishte keqpërdorur vajzën e tij.

Ndryshe  çifti kanë qenë të fejuar qe dy vite, ndërkohë sipas prindit të tij vajza ka qenë e mitur kur është njohur me ish-të fejuarin e saj.