Djaloshi që i mbijetoi aksidentit në Kroaci: Fluturuam nga dritarja, menduam se po ëndërronim

Djaloshi që i mbijetoi aksidentit në Kroaci: Fluturuam nga dritarja, menduam se po ëndërronim

Një ditë pas aksidentit tragjik afër Slavonski Brod të Kroaci në të cilin 10 kosovarë humbën jetën, familjet e viktimave mbërritën para spitalit, transmeton Insajderi.

Disa nga udhëtarët e lënduar lehtë u liruan nga spitali të hënën, ndërsa 15 të tjerë të lënduar më rëndë janë ende në trajtim.

D.M një nga udhëtarët, i tha RTL se kishte vizituar babanë e tij në Gjermani dhe se ishte duke u kthyer përsëri në shtëpinë e tij në Kosovë. Kur ndodhi aksidenti ai ishte në gjumë dhe u zgjua nga goditja dhe britmat e pasagjerëve të tjerë.

“Kur hapa sytë, pashë që dikush theu xhamin e autobusit dhe doli përmes tij, kështu që unë e ndoqa instinktivisht. Kur dola, mendova se kjo ishte një ëndërr. Fillova të ndihmoj njerëzit, disa u lënduar, disa me dëmtime më të rënda, disa kishin vdekur tashmë”, tha ai.

Shumë prej tyre udhëtonin drejt vendlindjes për pushimet verore gjersa pas tyre e kanë lënë një prej ditëve më të frikshme të jetës së tyre.

“Unë rashë nga kati i dytë i autobusit, me gruan time. Gjithçka ra poshtë. Të gjithë ne që ishim afër dritares fluturuam jashtë. Njerëzit nuk ishin në shtëpi për shkak të pandemisë për dy vjet dhe ata ishin shumë të lumtur, por këtu ata nuk u kthyen në shtëpi “, tha R.G.

Në konviktin ku ata po qëndrojnë, janë duke pritur informacione në lidhje me rrugën për në shtëpi dhe për anëtarët e familjes që janë ende në spital.

“Ne u siguruam atyre ndihmë psikologjike dhe të gjitha informacionet në lidhje me familjet e tyre, ne arritëm të mbledhim të gjitha informacionet në lidhje me spitalet dhe trajtimin. Disa kanë shkuar tashmë për të marrë bagazhet e tyre”, tha Mirjana Matanoviq, drejtoresha e Kryqit të Kuq Slavonski Brod.

Familjet e viktimave gjithashtu tashmë kanë arritur para spitalit në Slavonski Brod. A.K ka humbur vajzën dhe tani po pret që nipërit e mbesat e tij të dalin nga spitali.

“Vajza ime është 37 vjeç, ajo ka pesë fëmijë. Një qëndroi në Gjermani, vajza e saj është 15 vjeç, katër ishin me të, dhe tani ata janë këtu … dhe çfarë të them …”, tha A.K.

Ka shumë që janë duke pritur për informacione në lidhje me transportin e trupave të të vdekurve.

“Ne kemi ardhur për shkak të familjes së vëllait tim, gruaja dhe dy djemtë e tij janë këtu për kurim. Vëllai im vdiq në vend. Është e vështirë për mua dhe nuk mund të them asgjë më shumë,” tha S.R.

Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Ndërkohë, shoferi 52-vjeçar i autobusit ka dalë sot para drejtësisë kroate dhe është mbrojtur në heshtje, ndërsa Zyra e Avokatit të Shtetit kroat ka njoftuar se shoferi ishte i lodhur dhe i paaftë për të vozitur./Insajderi.com