DKA-të pajtohen për plan të ri për zëvendësimin e orëve të humbura

DKA-të pajtohen për plan të ri për zëvendësimin e orëve të humbura

Drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit janë pajtuar për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Përmes një komunikate MASHT njofton se në takim morën pjesë drejtorët komunalë të Arsimit, Ministrit i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi si dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, BSPK-së dhe KMDLNJ-së të cilët diskutuan rreth orëve të humbura gjatë grevës me ç’rast u pajtuan që orët e humbura të zëvendësohen pasi sipas tyre kjo është në interes të nxënësve.

“Në këtë takim, është diskutuar për zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve, me ç’rast të gjithë drejtorët e DKA-ve janë pajtuar se duhet të zëvendësohen këto orë, duke qenë se është interes i nxënësve”, thuhet në komunikatë.

Gjatë këtij takimi, ministri Bytyqi ka theksuar se vendimi i tij është në fuqi, por në një situatë të re duhet të ndryshojë formula e zëvendësimit të orëve të humbura, ndërsa drejtorët e DKA-ve janë pajtuar se duhet të zbatohet Udhëzimi Administrativ që ka të bëjë me normativin dhe kalendarin shkollor dhe se do të bëjnë një plan tëri, secili për komunën e vet, për zëvendësimin e orëve të humbura.

Ministri Bytyqi ka theksuar se MAShT është e gatshme t’i përkrahë drejtorët në këtë drejtim, ndërsa ka theksuar se i përkrahë kërkesat e SBAShK-ut, por kërkesat e Sindikatës dhe zëvendësimin e orëve i sheh si dy procese të ndara.