Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes një konference për media, të shtunën ofroi vlerësimin për fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën.
DnV është fokusuar në çështjet si respektimi i masave kundër përhapjes së pandemisë, ofertat programore dhe mënyra e shpalosjes së tyre, kandidaturat dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.
Sipas njoftimit, 30 ditët e fushatës zgjedhore treguan se mënyra tradicionale e të bërit fushatë me tubime të mëdha, është eklipsuar nga fushata dixhitale.
Transformimin dixhital të fushatës padyshim e imponuan masat kufizuese anti-COVID, por edhe fakti që platformat ‘online’ ofruan një potencial shumë më të madh, më efikas e më ekonomik në arritjen e masave dhe votuesve”.
“Platformat “Facebook” dhe “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për ata për kuvendet komunale për plasim të informatave, shpalosje të ofertave programore, shpalosje të aktiviteteve e thirrjeve për votim”, thuhet në komunikatën për media.
Ndonëse, sipas DnV-së, shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin të sponsorizuara, ndërsa transparenca për koston financiare të fushatave dixhitale mungon.
Edhe pse në fillim të fushatës disa subjekte politike u zotuan për shkurtimin e ditëve të fushatës, në praktikë kjo nuk ka ndodhur.
“Fushata zgjedhore nisi me takime me grupe të vogla të qytetarëve dhe me respektim relativisht të kënaqshëm të masave anti-COVID.
Megjithatë, respektimi i masave dhe i kufizimeve për numrin e pjesëmarrësve në takime pothuajse u braktis në të gjitha takimet ngjarjet e organizuara në javën e fundit të fushatës”.
Në këtë përshkallëzim të situatës, thuhet se kanë pasur ndikim edhe “kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme” të institucioneve përkatëse.
“Ndryshe nga fushatat e kaluara zgjedhore, kësaj here shpalosja e programeve politike është bërë që në fillim të fushatës, element të cilin kandidatët duket se e kanë vlerësuar si përparësi konkurruese në garë”.
“Ofertat e qarta programore, një pjesë e madhe e së cilave kanë qenë të qasshme për publikun, kanë qenë tipar pozitiv i kësaj fushate për shumicën e kandidatëve. Debatet televizive janë organizuar me kandidatët për kryetarë të të gjitha komunave me shumicë shqiptare, ndërsa debatet kanë munguar në komunat me shumicë serbe”.
Po ashtu, debate janë zhvilluar edhe në mes të kandidatëve për kuvendet komunale, duke përfshirë bartësit e listave, si dhe në disa raste vetëm me kandidatet gra për kuvendet komunale.
Forma e organizimit të debateve televizive, me pjesëmarrje të shumë kandidatëve dhe diskutimit të temave të ndryshme në një periudhë të kufizuar kohore, sipas DnV-së nuk ka mundësuar elaborim të thukët të programeve nga kandidatët apo “përballje” përmbajtjesore të pikëpamjeve midis tyre.
“Investimet kapitale ishin kryefjala e programeve politike të shumicës së kandidatëve, me programet me potencial transformues që ishin karakteristikë e shumë komunave, posaçërisht shtatë qendrave të mëdha”.
Sidoqoftë, në disa raste kanë munguar detajet për planin e zbatimit të programeve, koston dhe burimet financiare për realizimin e tyre, thotë Demokracia në Veprim.
“Vlerë e shtuar e programeve të një pjese të kandidatëve janë projektet ambientaliste, duke përfshirë ndërtimin e parqeve të reja, shtigjeve për biçikleta dhe promovimin e transportit alternativ, si dhe projektet e karakterit zhvillimor në fushën e teknologjisë informative, të tilla si ‘lab’-et e qendrat për IT”.
DnV ka dhënë vlerësimin edhe sa i përket përfshirjes së grave.
“Përfshirja e grave gjatë aktiviteteve të subjekteve politike ka qenë në nivele jo të kënaqshme”.
DnV do të përcjellë procesin zgjedhor përmes 110 vëzhguesve, të cilët do të shpërndahen në nivel vendi, bazuar në një mostër të bazuar statistikore./Insajderi.com