DnV: QNR të rrisë kapacitetet njerëzore që procesi paszgjedhor të përmbyllet sa më shpejtë

DnV: QNR të rrisë kapacitetet njerëzore që procesi paszgjedhor të përmbyllet sa më shpejtë

Organizatat e shoqërisë civile që kanë vëzhguar procesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, po kërkojnë që të shtohen resurset humane në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për të përmbyllur sa më parë shpalljen e rezultateve përfundimtare, njofton Insajderi.

Demokracia në Veprim thotë se proceset e zhvilluara deri më tani në QNR kanë qenë në përputhje me legjislacionin përkatës, por janë zhvilluar me ritëm të ngadaltë.

“Ndonëse vendimi për rinumërimin e mbi 20% të vendvotimeve në nivel vendi ndikon në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe saktësisë së rezultateve, ky proces shpërfaqë problemet me kualitetin dhe kualifikimet e komisionerëve, si dhe trajnimeve të organizuara për ta nga KQZ-ja”, deklaron DnV në një reagim.

Kjo organizatë thotë se  mosadresimi i problemeve të evidentuara edhe gjatë proceseve të kaluara, ka ndikuar që sërish të përsëriten problemet e njëjta, veçanërisht me bartjen e votave të kandidatëve të subjekteve politike.

“KQZ duhet medoemos të ndërmarr hapa për rritjen e kualitetit të trajnimeve, apo edhe të krijohen mekanizma për ndëshkimin e komisionerëve të cilët si rezultat i gabimeve, njerëzore apo të qëllimshme, kanë deformuar vullnetin qytetar dhe në mënyrë indirekte kanë ndikuar në vonimin e procedurave paszgjedhore deri në certifikimi i rezultateve zgjedhore”.

Për shkak të limiteve kohore që ndodhet vendi sa i përket zgjedhjes së presidentit, DnV kërkon që  QNR të rrisë edhe më shumë kapacitetet humane për menaxhimin dhe përmbylljen e procedurave brenda një periudhe sa më të shpejtë kohore./Insajderi.com