Demokracia në Veprim e ka quajtur kontradiktor vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reja ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin testin negativ RT-PCR të bërë më së largu 72 orë ose në të kundërtën duhet të vetë izolohen për shtatë ditë, njofton Insajderi.
“Nga një anë ka lehtësim masash ndërsa në anën tjetër të njëjtat bëhen me strikte duke diskriminuar qytetarët e Kosovës që vijnë nga jashtë. Duke e ditur që shumë qytetarë me të drejtë vote janë nisur drejt Kosovës, kjo masë e re e Qeverisë e paralajmëruar me vonesë, mund të cenojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve të Kosovës për të votuar”, thuhet në reagimin e DnV-së.
Demokracia në Veprim ka shprehur shqetësimin edhe për vendimin e fundit të Qeverisë për lehtësimin e masave anti-Covid në një kohë kur siç thuhet, numri i të infektuarve me Coronavirus është në rritje të vazhdueshme.
DnV kërkon nga Qeveria që të rishqyrtojë të gjitha masat e reja anti-Covid të cilat siç thuhet janë gjithashtu në kundërshtim edhe me rekomandimet e ekspertëve të fushës./Insajderi.com