Imzot Dodë Gjergji gjatë një vizite që i ka bërë Romës për koncertin e organizuar për Nënën Terezë, ka kujtuar origjinën katolike të Kosovës dhe kulturat e mëvonshme që kanë lënë gjurmë gjatë shekujve, sidomos në atë otomane.
Sipas Dodë Gjergjit, komuniteti katolik edhe pse pakicë në Kosovë, ka arritur që të jetë shumë aktiv madje edhe në zonat ku rrethohen me popullatë myslimane.
“Kemi ndërtuar qendrën Don Bosco në Gjilan, ku kemi munguar për 300 vite, një kishë në Kravaseri dhe jemi duke ndërtuar një kishë në Llapushnik ku janë 40 fshatra myslimane për rreth”, ka thënë Dodë Gjergji në këtë intervistë, raporton Insajderi.
Imzot Dodë Gjergji ka thënë se ndihet krenar që po ndihmojnë njerëzit të cilët ndihen se janë katolikë, por që janë konvertuar me forcë në mysliman, gjatë kohës së Perandorisë Osmane dhe tani dëshirojnë të kthehen në origjinën e tyre.
Ka përmendur banorët nga Gjilani, Kravaseria dhe Llapushniku si shembuj të këtij kthimi në origjinë.
“Unë flas me njerëzit jo për t’i konvertuar sepse për ne kjo nuk është fjala e duhur sepse ata kthehen në origjinë”, ka thënë Dodë Gjergji.
Sipas Imzot Dodë Gjergjit, e rëndësishme është që Kisha katolike në Kosovë po forcohet çdo ditë e më tepër dhe se komunitetet si mysliman si ai katolik bashkëjetojnë duke i ndihmuar njëra tjetrës.
“Për ne katolikët, ky vit është një pranverë, një pranverë për Kishën Katolike në Kosovë. Për herë të parë në 700 vite mund të jetojmë të lirë, të flasim lirshëm dhe të japim kontributin tonë jo vetëm për katolikë por të gjithë shoqërinë e Kosovës”, ka thënë Imzot Dodë Gjergji në një intervistë dhënë portalit “orientocristiano.it”./Insajderi.com