Dodik: Do ta formojmë ushtrinë e Republikës Serbe, s’e duam Bosnjën siç është tani

Dodik: Do ta formojmë ushtrinë e Republikës Serbe, s’e duam Bosnjën siç është tani

Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, thotë se dëshiron të formojë ushtrinë e Republikës Serbe, pasi një gjë e tillë i lejohet sipas Marrëveshjes së Dejtonit, transmeton Insajderi.com.

“Kjo është e drejta jonë Kushtetuese, nuk është shfuqizuar më parë. Ne ramë dakord vetëm për një mënyrë tjetër të organizimit të forcave ushtarake në BeH. Tani do ta tërheqim atë pëlqim”, thotë Dodik në një intervistë për ‘BBC’.

Ai ka mohuar edhe një herë gjenocidin në Srebrenicë, duke thënë se ishte kryer një “krim i madh”.

“Nuk ka dyshim se një krim është kryer në Srebrenicë. Por kjo është punë e individëve, jo e ushtrisë në tërësi. Sido që të jetë, njerëzit kanë frikë të ndryshme. Serbët kanë frikë se e gjithë zona do të dominohet nga myslimanët dhe kanë frikë nga mërgimtarët që po vijnë. Këto janë edhe gjërat frika që ekzistojnë këtu”, u shpreh Dodik.

Gjatë muajit të kaluar, Dodik kishte deklaruar se do të detyrojë Forcat e Armatosura të tërhiqen nga territori i Republikës Serbe, duke pushtuar kazermat, por tash konsideron se bllokimi i kazermave është i panevojshëm.

“Nuk ka ushtri të BeH në territorin e Republikës Serbe, por Forca të Armatosura në të cilat shumica janë serbë. Nuk ka nevojë të bllokohen kazermat, kur 90 për qind e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të BeH në Republikën Serbe janë serbë. Gjithashtu dua të theksoj se besoj në kapacitetin e EUFOR-it dhe se mandati i tyre është zgjatur me vendim të OKB-së”, tha Dodik.

Për më tepër, ai thotë se nuk e duan Bosnjën siç është ajo aktualisht.

“Jo, ne nuk e duam BeH siç është tani. Doli se BeH, siç është e organizuar aktualisht, është dekadente me reforma false dhe probleme të tjera dhe si e tillë nuk mund të mbijetojë. Ajo që unë dua në emër të njerëzve që më zgjodhën është të mbroj marrëveshjen e Dejtonit dhe të zbatoj vetëm atë që është shkruar atje”, tha Dodik. /Insajderi.com