Dodik: Në Sarajevë, Tiranë dhe Podgoricë janë qendrat për parandalimin e ndikimit rus

Anëtari serb i Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës Millorad Dodik ka deklaruar se në Sarajevë, Tiranë dhe Podgoricë janë formuar tri qendra për parandalimin e ndikimit rus në Ballkan.

Dodik: Në Sarajevë, Tiranë dhe Podgoricë janë qendrat për parandalimin e ndikimit rus

“Qeveria britanike ka thënë se jep 6 milionë funta për organizimin e aktiviteteve për parandalimin e ndikimit rus në Ballkan, derisa qeveria amerikane nëpërmes të organizatave të ndryshme ka dhënë më shumë se 20 milionë dollarë”, pretendon Dodik.

Ai për televizionin serb RTS ka thënë se “në Sarajevë qendrën e inteligjencës e përbëjnë të huajt dhe ata nga shërbimi i inteligjencës vendore”, të cilët, siç pretendon ai “duhej ta mbrojnin sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Janë formuar tri qendra për parandalimin e ndikimit rus në Sarajevë, Podgoricë dhe Tiranë. Këto janë tri qendra në Ballkan. Këtu në Beograd, me siguri vepron ndonjë e tillë i fshehët, i cili nuk mund të zbulohet, por ne e dimë për këtë”, ka pretenduar më tutje Dodik.

Ai ka shtuar se edhe në Banjallukë ekzistojnë qendra të ndryshme, se disa ambasadorë po takohen me opozitën dhe sektorin joqeveritar, por jo edhe me organet e pushtetit.

“Për fat të keq, ne nuk kemi shërbim të inteligjencës, sepse kjo kompetencë na është grabitur me vendime kundërligjore nga ana e përfaqësuesve të lartë dhe është bartur në nivel të Bosnjës dhe Hercegovinës, ku është krijuar shërbimi i inteligjencës i cili gjatë gjithë kohës po punon kundër Serbisë dhe Republikës Serbe”, ka thënë Dodik.

Ai ka shtuar se “qëllimi i tyre është destabilizimi i Republikës Serbe”./Insajderi.com.