Dodik shpreson ta barazojë Kosovën me Republikën Serbe

Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, tha të enjten në Beograd se "zgjidhja e çështjes së Kosovës do të ndikojë edhe te Bosnja".

Dodik shpreson ta barazojë Kosovën me Republikën Serbe

Në konferencën për gazetarë, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Dodik tha se në të gjitha bisedat që kanë zhvilluar të martën në Bruksel anëtarët e Presidencës së Bosnjës, është thënë se zgjidhjet për Kosovën nuk duhet të reflektojnë në Bosnje.

“E kam thënë dje, pardje, e them tani se kjo është e pamundur. Nëse dikush i ka ato të drejta, përse të mos i kemi edhe ne? Ky është qëndrimi im”, ka thënë Dodik, raporton gazeta serbe “Novosti”.

Ai tha se kolegët e tij në Presidencën e Bosnjës kanë “një qasje ndryshe ndaj problemit të Kosovës”.

Më herët, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë, u ka bërë thirrje serbëve të Bosnjës të ndahen nga ky shtet, duke pretenduar se Bosnja ka dështuar./Insajderi.com.