Dogana e Kosovës kap rreth 100.000 funta britanike në aeroport

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zënë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës rreth 100.000 funta angleze, të cilat është tentuar të futen në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës.

Dogana e Kosovës kap rreth 100.000 funta britanike në aeroport

Në një komunikatë për media, Dogana ka bërë të ditur se ditën e martë oficerët doganorë kanë ndaluar një udhëtare angleze, e cila u është nënshtruar kontrolleve shtesë, pasi kontrollet fillestare kanë nxitur dyshime për parregullsi.

“Kontrolli fizik i udhëtares ka gjetur mjete monetare te fshehura në thellësi të çantës te vakumuuara. Pasi janë gjetur, udhëtarja është kontrolluar në mënyrë të detajuar si dhe është vendosur nën kontroll”, është thënë në komunikatë.

Sektori i hetimeve në Doganën e Kosovës ka thënë se mjetet monetare janë ndaluar dhe rasti është duke u hetuar.

Aktualisht, personat që planifikojnë të udhëtojnë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë të obliguar që të deklarojnë nëse posedojnë mbi 10,000 euro./REL.