Dogana me Aksion në Prishtinë: Konfiskohen sasi të mëdha të stimuluesve seksualë

Dogana me Aksion në Prishtinë: Konfiskohen sasi të mëdha të stimuluesve seksualë

Një sasi e konsiderueshme e stimuluesve seksualë janë konfiskuar nga Dogana në Prishtinë, pas një aksioni të zhvilluar nga zyrtarët doganorë në luftën për parandalimin e mallrave të kontrabanduara, transmeton Insajderi.

Siç raportohet nga “Kallxo Përnime”, cak i zyrtarëve doganorë ishte një depo në Prishtinë, në të cilën i dyshuari për kontrabandë i kishte ruajtur barnat me qëllim që më vonë t’i shpërndajë në tregun e Kosovës.

Gjatë aksionit janë konfiskuar sasi të mëdha të stimuluesve seksualë si “Viagra”, “Kamagra”, etj.

Departamenti operativ-hetimor i Doganës bashkë me Prokurorinë e Ferizajt kanë arritur ta kapin në flagrancë të dyshuarin e po ashtu ta arrestojnë një zyrtar doganor, i cili ia kishte mundësuar të dyshuarit futjen në Kosovë pa e kontrolluar fare.

Operacioni është drejtuar nga Driton Azemi, udhëheqës i Departamentit operativ-hetimor të Doganës së Kosovës.

“Pas një hetimi dymujor të udhëhequr nga Prokuroria e Ferizajt sot kemi arritur ta arrestojmë të dyshuarin i cili kishte kaluar pikën kufitare në Hanin e Elezit dhe ishte futur në Kosovë me mall të kontrabanduar. Pastaj kemi bastisur banesën dhe depon e të dyshuarit ku është gjetur një sasi e madhe e barnave të kontrabanduara”, ka thënë Azemi, i cili ka treguar për llojet e barnave që janë gjetur.

“Kemi të bëjmë me shumë lloje të barnave, sikur stimulues seksualë “Viagra”, “Kamagra”, pastaj barna të sëmundjeve të diabetit, barna të cilat nuk shërbehen pa recetën e mjekut etj.”, theksoi Azemi, duke shtuar se edhe zyrtari doganor i përfshirë është arrestuar. /Insajderi.com